E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët shqiptarë. Itali, miratohet taksa e re për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit

Forcohen rregullat për dërgimin e parave dhe martesën me shtetas vendas.

Jonida Tashi

Qeveria italiane ka miratuar taksën e re që duhet të paguajnë emigrantët për rinovimin e lejes së qëndrimit në këtë shtet. Kërkesa për lëshimin dhe ripërtëritjen e lejes së qëndrimit do të shoqërohet me derdhjen e një kontributi, shuma e të cilit është përcaktuar mes një minimumi 80 euro dhe një maksimumi 200 euro. Nga ky detyrim përjashtohen lejet e qëndrimit për motive azili, për mbrojtje të përkohshme dhe për motive humanitare. Pa leje qëndrimi nuk është e mundur të marrësh akte të gjendjes civile apo t’i qasesh shërbimeve publike. Viza e hyrjes dhe leja e qëndrimit nuk mund të lëshohen ose do të anulohen nëse i huaji rezulton i dënuar, paçka se dënimi nuk është përfundimtar për njërën prej shkeljeve të përcaktuara. I huaji, që me kërkesën e nëpunësve apo agjentëve të sigurisë publike nuk i bindet pa motive të justifikueshme urdhrit për të paraqitur pasaportën apo një dokument tjetër identifikimi, apo edhe një dokument që vërteton qëndrimin e rregullt në territorin e shtetit, ndëshkohet me arrestim deri në një vit dhe me një gjobë deri në 2000 euro.
Paratë
Emigrantët shqiptarë, që duan t’u dërgojnë para familjarëve të tyre në Shqipëri, duhet të paraqesin lejen e qëndrimit në momentin që kryejnë dërgesën. Konkretisht, në “Paketën e Sigurisë” të shtetit italian shkruhet: “Të ashtuquajturat ‘shërbime të transferimit të parave’ do të jenë të detyruara të kërkojnë paraqitjen e lejes së qëndrimit dhe kopjen e saj ta ruajnë për dhjetë vjet. Po kështu, duhet t’ia komunikojnë ekzekutimin e transaksionit autoriteteve kompetente në rastin kur bëhet për një subjekt që nuk zotëron leje qëndrimi”. Titullarët e agjencive duhet të marrin dhe të ruajnë për dhjetë vjet kopjen e titullit të qëndrimit nëse subjekti që kërkon veprimin e transferimit të parave është shtetas nga shtete joanëtare të BE-së. Nëse klienti i huaj nuk e ka këtë titull qëndrimi, përgjegjësit e agjencive duhet të njoftojnë, brenda 12 orëve, për këtë fakt autoritetet vendorë të sigurisë publike, duke i përcjellë të dhënat identifikuese të subjektit. Mosrespektimi i kësaj dispozite nga ana e tyre ndëshkohet me fshirjen nga lista të agjentëve në aktivitet financiar.
Martesat
Shtrëngohen kushtet për martesat me një shtetas italian. Kjo është bërë me një ndryshim të Kodit Civil, që parashikon futjen e detyrimit të paraqitjes së lejes së qëndrimit. Kështu nuk do të ketë më martesa mes të të parregulltve. Dhënia e shtetësisë me martesë mund të bëhet pas dy vitesh qëndrimi në territorin e shtetit italian dhe pas tre vitesh në rastin kur bashkëshort/ja gjendet jashtë. Kjo kohë përgjysmohet për fëmijët. Të gjitha praktikat apo deklaratat e përzgjedhjes, marrjes, rimarrjes, heqjes dorë apo të dhënies së shtetësisë shoqërohen nga pagesa e një takse 200-euroshe. Dispozitat e mëparshme parashikonin një kohë prej gjashtë muajsh për dhënien e nënshtetësisë me martesë. Gjithashtu, sipas dekretit të ri, nuk është e mundur të lidhet martesë nga ana e një të huaji që nuk zotëron “dokument që provon rregullshmërinë e qëndrimit në territorin italian”.

Ja çfarë parashikon Dekretligji i Deleguar 773

Hyrja dhe qëndrimi i parregullt
Futet shkelja e hyrjes dhe qëndrimit të parregullt, por kjo nuk sjell burgosjen e menjëhershme. Parashikohet një gjobë nga 5-10 mijë euro. Po kështu, parashikohet mundësia e riatdhesimit, pa lëshimin e miratimit nga ana e autoriteteve kompetente.
Regjistrimi në gjendjen civile
Për regjistrimin apo ndryshimin e vendit të banimit do të kërkohet certifikimi i përshtatshmërisë së strehimit.
Paraqitja e lejes së qëndrimit
Po kështu futet detyrimi për të paraqitur lejen e qëndrimit për të gjitha veprimet lidhur me gjendjen civile.
Viza e hyrjes për ribashkim familjar
Nuk do të jetë më e mundur të kërkosh vizë hyrjeje nëse miratimi për hyrje me motive të ribashkimit familjar nuk lëshohet 180 ditë pas përpunimit të praktikës. Kështu davaritet edhe një mundësi garancie e ushtrimit të së drejtës familjare, e parashikuar për t’iu kundërvënë burokracisë së tejngadalshme.
Leja e qëndrimit CE e Rezidentit Afatgjatë
Lëshimi i kësaj lejeje do të bëhet vetëm pas kalimit me sukses të një testimi mbi njohjen e gjuhës italiane.
Shkeljet penguese të hyrjes
Do të merren në shqyrtim edhe dënimet jopërfundimtare.
Kontribut nga 80 në 200 euro
Për të gjitha praktikat që lidhen me lëshimin dhe ripërtëritjen e lejes së qëndrimit.
Paraqitje e dokumenteve
Arrestim deri në një vit dhe gjoba deri në 2000 euro.
Regjistër për personat pa banesë fikse
Nëse nga një anë anulohet mundësia e regjistrimit në gjendjen civile të personave pa banesë fikse, pranë Ministrisë së Brendshme ngrihet një Regjistër për të skeduar këtë kategori.
Çregjistrimi në gjendjen civile
Parashikohet pas gjashtë muajsh pas skadimit të lejes së qëndrimit.
Lejeqëndrimi me pikë
Futet institucioni i një marrëveshjeje të integrimit, i strukturuar me kredite, që nënshkruhet në çastin e lëshimit të lejes së qëndrimit. Kriteret dhe modalitetet do të vendosen me një rregullore të posaçme.
Favorizim i hyrjes së parregullt
Ashpërsohen të gjitha normat e lidhura me favorizimin e hyrjes së parregullt, ndërsa nuk preken aspak ndëshkimet për shfrytëzuesit.
Anulimi i ndalimit të sinjalizimit
Mjekët dhe personeli spitalor duhet të sinjalizojnë autoritetet kompetente, me qëllim dëbimin e të huajve pa lejeqëndrimi, që vijnë pranë strukturave të tyre spitalore.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›