E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, MASH-i publikon koeficientet e reja të lëndëve me zgjedhje

Botohen të plota koeficientet për nëntë universitetet publike të vendit. Ndryshimet që kanë bërë specialistët sipas degëve të fakulteteve

Jonida Tashi

Ministria e Arsimit publikon koeficientet e reja të 12 lëndëve me zgjedhje të Maturës. Për lëndët me zgjedhje do të jenë në dispozicion dy lloje koeficientesh, të cilat do të variojnë nga 1.0 në 1.3. Në formularin A1, që përmban gjeneralitetet e maturantit dhe 12 lëndët me zgjedhje, maturanti, sipas përgatitjes, prirjes dhe koeficienteve të lëndëve me zgjedhje, do të zgjedhë dy lëndë për provim. Sipas specialistëve të arsimit, profili i shkollës së mesme, që vazhdon maturanti, duhet të merret parasysh në përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje. Kjo do të thotë se një maturant që vazhdon shkollën e mesme në një gjimnaz me profil shoqëror, për të fituar sa më shumë pikë për në universitet, duhet të zgjedhë si lëndë me zgjedhje, ato që kanë drejtim shoqëror. Ndërsa maturantët që ndjekin shkollën në një gjimnaz me profil natyror, duhet të zgjedhin si lëndë me zgjedhje ato që kanë drejtim natyror.
Llojet
Për pranimet në shkollat e larta janë dy lloje koeficientesh: pesë koeficientet e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientet e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë. Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion pesë koeficiente nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilat vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për 2 e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe dy notat për provimet e lëndëve të detyruara Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht për llojin e shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Gjithashtu, çdo degë e shkollës së lartë shpall parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të dy koeficienteve të tjera, me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këto koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga dy notat e lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientet e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit. Data 10 mars është afati i fundit i plotësimit të formularit A1 për lëndët me zgjedhje. Pa plotësimin e këtij formulari, asnjë maturant nuk ka të drejtë të vazhdojë për të kandiduar për një vend në universitetet publike.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›