Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Romën, hap zyrën "Tirana"
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë hapjen e një projekti për shtresat në nevojë. Kështu, zyra “Tirana” është projekti i fundit i Bashkisë së Tiranës dhe i Bashkisë së Romës, e cila do të ofrojë informacion për të rinjtë që janë kontingjent që preken nga probleme të ndryshme sociale si droga apo HIV/AIDS. Këto shtresa në nevojë do të gjejnë mundësinë për t’u trajtuar në mënyrë të veçantë me një staf të përzgjedhur në mënyrë që të shmangen nga rruga e drogës apo që të gjejnë një mënyrë trajtimi psikologjik për të sëmurët me SIDA. Në përurimin e kësaj zyre ka marrë pjesë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi dhe ambasadori italian në vendin tonë, Sava D’Elia. “Nuk mund të kemi qytet të shëndetshëm pa qytetarë të shëndetshëm, pa i edukuar të rinjtë dhe pa kultivuar tek ta se stili dhe mënyra e jetesës janë faktorë vendimtarë për një jetë të shëndetshme”,- u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës. Ambasadori italian në vendin tonë ka shprehur përkrahjen e qeverisë italiane për të ndihmuar dhe në projekte të tjera sociale. Projekti i zyrës “Tirana” ka kushtuar rreth 850 mijë euro, ndërsa Ministria e Jashtme Italiane ka investuara 720 mijë euro.
6 Mars 2009