Athina bie në qetësi pas tetë ditësh përleshje
Athina ra në qetësi të dielën pas tetë ditë përleshjesh të dhunshme mes të rinjve dhe policisë, të cilat u nxitën nga vrasja e një 15-vjeçari prej një oficeri policie. Këto protesta ishin më të dhunshmet të para në Greqi gjatë dekadave të fundit. Sipas AP, trafiku më në fund u kthye në normalitet në qendër të qytetit dhe autobusët dy katesh shëtisnin turistë, që dëshironin të shikonin qytetin, edhe pse ka kaluar tetë ditë kaosi. Kafenetë poshtë Akropolisit ishin të gjitha të zëna dhe çifte të reja kishin dalë për shëtitjen e së dielës me fëmijët e tyre. Duket sikur atmosfera e djeshme në Greqi nuk kishte të bënte aspak me kaosin e tetë ditëve të fundit, kur të rinjtë grekë përlesheshin me policët dhe hidhnin kundër tyre gurë e molotov. Protestat e të rinjve nisën kundër dhunës së policisë dhe vazhduan me çështje të tjera ekonomike e sociale si papunësi, rrogat e ulëta, etj. Nga protestat në dhjetëra qytete në Greqi u lënduan të paktën 70 persona dhe u arrestuan rreth 200 të tjerë. Qindra dyqane dhe dhjetëra banka u shkatërruan. Qetësia ra të dielën paradite pas një të shtune të mbushur me mënyra të ndryshme protestash, disa me biçikleta, disa me qirinj dhe pak të tjerë sërish me gurë dhe molotov. Në orët e para të mëngjesit të së dielës disa të rinj sulmuan një stacion policie në Athinë dhe goditën me gurë disa vitrina të mbetura ende të pashkatërruara. Megjithatë tani dominojnë protestat paqësore. Përreth 12 orë, të shtunën nga mesdita në mesnatë, mijëra të rinj qëndronin të ulur para Parlamentit grek me qirinj të ndezur. Një grup tjetër këndonin me kitarë këngët e John Lenonit. Të dielën në mbrëmje pritej një marsh tjetër paqësor. Të rinjtë protestuan sërish me qirinj në vendin ku u vra 15-vjeçari. Një tjetër protestë u organizua në perëndim të Athinës. Edhe pse protestat tani janë më të paqme, njerëzit kanë frikë se mund të rikthehet dhuna.