“Koliqi mes Malit dhe Detit” dhe rruga për në qytet
Agron Gjekmarkaj
Kur në dhjetor të vitit 2005 juria kombëtare e çmimeve letrare po shpallte Ernest Koliqin si fitues të “Pendës së Artë”, salla papritmas e humbi simetrinë e saj: gjysma duartrokiste e ngritur në këmbë, ndërsa gjysma tjetër rrinte ulur dhe e heshtur. Gjysmat shikonin vëngër njëra-tjetrën. Një thyerje e tillë tregonte më së miri faktin se gjykimi i letërsisë dhe shkrimtarëve në Shqipëri vazhdon të jetë jashtëletrar dhe se pse politika nuk është thelbësore për letërsinë ajo instrumentalizohet në mënyrë të tillë saqë i përmbys ligjësitë që e bëjnë atë unikum. Shkollat e interpretimit sociologjik e shohin autorin jo vetëm si subjekt krijues, por edhe si objekt studimi. Këtë përvojë e shpërfill dukshëm Dhurata Shehri me librin “Koliqi mes Malit dhe Detit”. Objekt i saj është raporti i shkrimtarit mes prozës dhe poezisë, dy variantet e shfaqjes së unit në prozë dhe në poezi, Epifania e sendeve, pozicioni mes malit dhe detit si shartim i traditës me të renë dhe teksti i Koliqit ose më saktë një pjesë e tij, “Pasqyrat e Narcisit” janë të vetëmjaftueshme për magjepsje dhe studim. “Unë jam ajo që del nga të shkruarit”, thotë Natali Sarot dhe një moto të tillë e bën kredo të librit të vet Dhurata Shehri, teksa e studion Koliqin gati 80 vjet pas momentit kur Ernest Koliqi e shkroi veprën e vet. Si tek të gjithë ata që joshen nga “New criticisem”-i interesi për mesazhin letrar si të tillë, është interes i gjithkund nuhatshëm në këtë trajtesë, e cila vë në dukje një kontrast, që gjithnjë e më shumë ndan brezin “e ri” nga brezi i “vjetër”. Një gjë e tillë formulohet në mënyrë të pavetëdijshme nga vetë autorja, teksa shpjegon ose nënkupton arsyet e këtij punimi: “Bashkë me Koliqin,– thotë ajo, rikthehet letërsia, ajo e vërteta që nuk do t’ia dijë për përcaktoret tradhtarë a fashist, reaksionar a revolucionar, heronjtë pozitivë a negativë, luftën a paqen e klasave”. Për autoren ka rëndësi funksioni estetik rreth të cilit organizohet e strukturohet kjo qasje në formën e një sfondi të pandërprerë, i cili na lejon të përcaktojmë identitetin e këtij libri dhe në tërësi fushën kulturore që rrok. Shehri bashkohet me të gjithë ata, që prozën e Koliqit e quajnë moderne, por ndryshe nga të tjerët ajo do ta shpjegojë këtë “etiketë”, duke rikthyer shkrimtarin që rri mes “malit dhe detit” në “Qytet”. Mali dhe deti janë dy caqet e një diskursi sepse “Udhat e lira të detit na sjellin idetë e reja. Mbi valët e tij rreh fryma e gjanë e Oksidentit… Mali asht kalesa që ka rranxat e shtrime thellë në tokë të së parëve. Deti shëmbëllen ardhmëninë plot flime të së përtrimit dhe ugure lavdie. Kombi i ynë duhet të ndëgjojë kangën e detit pa u zhgulë nga tradita e malit...”. Kjo pikëprerje është shenjë e vijueshme e letërsisë së Koliqit e njëkohësisht evropianizim i kësaj letërsie, që duhet pranuar pikërisht aty ku është mohuar, në qytet. Në këtë rast qyteti është një vend metaforik takimi i dialogut ndoshta edhe konfliktit ndërmjet shkollave, i debatit, por edhe i shpresës që nga analiza tekstuale të ndihmohen “hartuesit e një historie të ardhshme të letërsisë. Prej disa dekadash, diskursi kritik mbi modernitetin pajtohet me faktin, se universi i letërsisë gjen rrugë të pafund eksplorimi “shumë të reja e antike e njëkohësisht, stile dhe forma që mund të ndryshojnë imazhin tonë për botën”. Gjuha e zgjedhur për interpretim ka valenca të forta teorike të imponuara nga nevoja për të krijuar një marrëdhënie të harmonishme mes modernitetit të kritikës dhe modernitetit të letërsisë. Por kjo gjuhë nuk është një pasqyrë, që reflekton në mënyrë pasive botën e “Pasqyrave..” por një sistem që organizon nga këndvështrime të ndryshme realitetin tekstor njësitë e të cilit sipas Shehrit tek Koliqi janë uji, rranjët ndërkohë që gjaku shihet si makrostruktura e tij. Nga leximet e ndryshme metodike, që autorja e këtij studimi u bën pasqyrave, vëmë re se ajo i ka përcaktuar ato si një territor tekstual të hapur e të gjindshëm për të dhënë jo vetëm një çelës për zbërthimin e poetikës së tij, por edhe pozicionin e tij në letërsinë shqipe të viteve ‘30. Shehri nga kapitulli në kapitull gjithnjë në masë më të madhe i flet kontekstit në fillim si lexuese ideale e këtij teksti e më pas si ndërmjetëse për një lexues tjetër të mundshëm që deri tash e ka parë Koliqin veç nga jashtë.
Një shkrimtar i madh ia del të fiksojë përvoja njerëzore të thjeshta, por me ndjeshmëri të madhe dhe me një formë perfekte, të cilat paraqesin, përbëjnë një sfidë interpretimi për çdo lloj autori. Me metodat bashkëkohore si ato të përdorura nga autorja në fjalë për pasqyrat e Narcizit. Në mënyrë të tërthortë Shehri e aplikon përkufizimin e Teodorovit që “Letërsia nuk bëhet vetëm me struktura, por edhe me ide e me histori” sidomos kur e sheh Koliqin në raport me dy shkollat shkodrane atë françeskane dhe jezuite, duke ia gjetur si gjithmonë vendin në mes “Për Koliqin mbetët i parapëlqyer pozicioni i të ndërmjetmit e ndërmjetësit edhe në raport me dy shkollat letrare shkodrane…. Si modernist i moderuar”, sepse modernizmi është gjithmonë marrëdhënie me momentin historik. Gjatë leximit të këtij libri të krijohet përshtypja, që dy zërat takohen ai i shkrimtarit dhe ai i kritikes e asnjëra nuk mbizotëron mbi tjetrin. Libri “Koliqi mes Malit dhe Detit” mund të konsiderohet bashkëthemelues i vetëdijes së kritikes moderne shqiptare dhe dëshmitar i faktit se “koha i rrëzon gjykimet e turmës idiote”. Dhurata Shehri i ka dhënë një dorë kohës...!