Kalon në Greqi vajzat e shokut të tij, arrestohet 33-vjeçari Balashi
Ndihma kundrejt 2.100 eurove, babai i vajzave denoncoi zhdukjen
Vajzat janë kapur e riatdhesuar nga policia sapo kaluan kufirin
Ndihmoi të kalonin drejt shtetit fqinj të Greqisë vajzat e shokut të tij, si dhe një shoqen e tyre, policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga shtetasin Pëllumb Balashi, i akuzuar për veprën penale të “dhënies ndihmë në kalimin klandestin me qëllime përfitimi”. Dy vajza, motra mes tyre, së bashku me një shoqen e tyre, kanë udhëtuar në mënyrë klandestine në drejtim të Greqisë, por vetëm pak pasi kanë hyrë në territorin helen, janë kapur nga policia vendase dhe janë riatdhesuar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të dy ditëve më parë, ndërkohë që më datë 25 shtator 2008, i ati i tyre kishte denoncuar në Policinë e Elbasanit zhdukjen në rrethana të mistershme të bijave të tij. Një fakt i tillë bëhet publik nga burime zyrtare të policisë së Gjirokastrës, e cila u informua për riatdhesimin në Kakavijë të tri femrave në moshë të re. Por policia hasi dhe në një person të katërt, një djalë 33-vjeçar, i cili i kishte kaluar ilegalisht në Greqi tri vajzat, duke arritur të kalojë pa problem doganën shqiptare dhe të hyjë në territorin grek, ku dhe u pikasën dhe u shoqëruan. Lidhur me këtë ngjarje, policia i ka vënë prangat 33-vjeçarit Pëllumb Balashi, lindur dhe banues në fshatin Bardhaj të rrethit Berat, i cili akuzohet paraprakisht për “trafik klandestinësh, me qëllim përfitimin”. Balashi është arrestuar në orët e para të ditës së djeshme, pasi në Kakavijë ka ndihmuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek tri femra nga Elbasani, dy motra dhe një shoqe të tyre, kundrejt fitimit 700 euro për person. “Pasi kanë kaluar kufirin jeshil, ato janë kapur nga policia greke dhe janë kthyer si deportivë në Stacionin e Policisë Kakavijë”, - sqaroi policia. Ajo theksoi se pas veprimeve të para procedurale të kryera nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër, ka rezultuar se këto shtetase i ka ndihmuar për të kaluar kufirin kundrejt fitimit shtetasi i lartpërmendur. Ndërkohë, lidhur me denoncimin e babait të dy motrave nga Elbasani në policinë e këtij qyteti, për ikjen e vajzave të tij, hetimet nxjerrin se i dyshuari ishte shok me denoncuesin. Pas arrestimit në flagrancë për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit”, Balashi gjendet në paraburgim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur tërësisht ngjarjen delikate.