Athina në flakë, protesta të dhunshme kundër policisë
Pamja e Athinës në të gdhirë, ditën e diel ishte pothuajse e njëjtë me Bagdadin apo Kabulin. Shkatërrim, xhama të thyer, zjarre dhe protestues të panumërt. Dy policë grekë janë arrestuar të dielën pas vrasjes së një 15-vjeçari, ngjarje që provokoi një valë protestash të dhunshme nga të rinj të zemëruar në Athinë dhe në qytete të tjera greke. Beteja me policinë ende vazhdon, ndërsa solidaritetit me të rinjtë i janë bashkuar edhe banorë të Athinës, të cilët kanë hedhur nga shtëpitë e tyre objekte kundër policisë. Trazirat nisën të shtunën në mbrëmje dhe vazhduan gjatë të gjithë natës, duke e gdhirë kryeqytetin grek në kaos total. 31 dyqane të shkatërruara, banka të sulmuara e xhama të thyer, copa trotuaresh e pllaka të shkëputura nëpër rrugë, të përdorura si objekte për të goditur policinë. Protestat kanë vazhduar gjatë të gjithë ditës së diel dhe pritet të vazhdojnë edhe të hënën, ku mijëra njerëz janë mbledhur nëpër sheshe, duke thyer nga zemërimi xhama dyqanesh dhe bankash me molotov. Tre policë janë shtruar në spital nga plagët e marra gjatë përleshjeve me të rinjtë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Edhe në qytetin perëndimor të Patras, një polic u shtrua në spital pasi u sulmua nga një grup të rinjsh. Në Athinë policia ka arrestuar 10 protestues dhe 14 të tjerë janë shtruar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen nga gazi lotsjellës. Tre bankave të mëdha greke, “National Bank of Greece”, “Emporiki” dhe “Banka e Piraeus” iu vu zjarri gjatë përleshjeve. Rreth 5 000 njerëz ishin mbledhur jashtë muzeut kombëtar, pranë vendit ku u vra adoleshenti, Andreas Grigoropoulos, në mbrëmjen e së shtunës. Grigoropoulos u vra nga të shtënat e policisë gjatë përleshjeve mes policisë dhe të rinjve në lagjen “Exarchia”. Ai ishte mes një grupi të rinjsh, të cilët kishin goditur me gurë një makinë policie. Një nga dy policët në makinë ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në drejtim të djaloshit tri herë, duke i shkaktuar tre plagë fatale në kraharor. I riu u dërgua menjëherë në spital, ku mjekët mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e tij. Të dielën dy policët u arrestuan. Epaminondas Korkoneas, 37 vjeç, i cili ka shtënë kundër të riut dhe Vassilis Saraliotis, 31 vjeç i cili ishte në makinë kur ndodhi ngjarja. Ngjarja ka provokuar protesta të menjëhershme me slogane kundër qeverisë së krahut të djathtë të Kryeministrit Kostas Karamanlis.