E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina nuk kërkon falje për tre agjentët gjermanë

 

Zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku ka deklaruar në një intervistë për të përjavshmen gjermane, “Welt am Sonntag”, se zyrtarët në Prishtinë shprehin keqardhje për rrethanat në të cilat u arrestuan tre agjentët gjermanë në Kosovë. Sipas komentit të Çitakut, arrestimi i tre agjentëve ka qenë vërtet një “incident fatkeq”. Megjithatë, zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës theksoi, se qeveria e Kosovës nuk do të kërkojë falje për këtë ngjarje. “Nuk kemi të bëjmë me këtë, pasi edhe nëse është bërë ndonjë gabim nuk ka qenë faji i qeverisë së Kosovës”, tha Çitaku. Zyrtarja nuk e ka përjashtuar mundësinë që “lojtarë të tjerë të rajonit” të kenë pasur interesim të destabilizojnë raportet midis Kosovës dhe Gjermanisë, sepse sipas saj, “As shpërthimi me bombë e as zhvillimet e mëtejshme në raportet më autoritete gjermane nuk kanë qenë në interesin tonë”, tha ajo për gazetën gjermane. Tre pjesëtarët e shërbimit sekret gjerman u arrestuan pas shpërthimit të një bombe në selinë e EULEX-it në Prishtinë më 14 nëntor. Ata u liruan me kusht nga gjykatës ndërkombëtarë, ndërsa mediat në Kosovë dhe jashtë saj raportonin për presion të qeverisë gjermane ndaj Prishtinës zyrtare për lirimin e tyre. Qeveria e Kosovës i ka mohuar këto zëra.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›