E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina përfshihet sërish nga trazirat

Athina është përfshirë
sërish nga trazirat pas
një paqeje të shkurtër.
Mes demonstruesve
dhe forcave të policisë ka pasur
përplasje përsëri. Demonstruesit
kanë sfiduar policinë jashtë
godinës së Parlamentit, duke
hedhur bomba të vogla, ndërkohë
që policët u janë përgjigjur
me gaz lotsjellës. Ajo që duan
aktualisht njerëzit e irrituar janë
ndryshimet qeveritare dhe ato
social-ekonomike. Ndërkohë,
shumë sektorë janë në grevë dhe
ata të trafikut ajror janë të fundit
që i bashkohen ndalimit të punës.
Vetëm dje, rreth 10 mijë vetë janë
bërë bashkë në një demonstrim
masiv në Athinë, jashtë Universitetit
Politeknik, të cilët kanë
ndërmarrë një marshim drejt
Parlamentit. Ata janë ende të acaruar
nga vrasja 10 ditë më parë
e djalit 15-vjeçar prej një polici
i cili pritet të dalë këto ditë para
drejtësisë. Njerëzit kanë hedhur
parulla kundër qeverisë dhe politikës
së saj që e ka çuar vendin
në një stanjacion ekonomik dhe
në një standard jetese ndër më
të ulëtit që ka pasur vendi gjatë
dekadave të fundit të begata.
Përplasja me forcat e policisë
është bërë në qendër të qytetit, i
cili është edhe vendi ku ndodhet
ndërtesa e Parlamentit grek. Pati
edhe tentativa për t‘i vënë zjarrin
pemës së madhe të Krishtlindjeve.
Kjo e fundit është djegur disa
herë gjatë ditëve të shkuara, për
shkak të protestave. Gjatë përleshjeve
të djeshme u plagosën
rreth 70 persona dhe rreth 400
të tjerë janë ndaluar nga policia.
Ndërkohë, dyqanet dhe bizneset,
sidomos ato buzë rrugëve, janë
shkatërruar dhe dëmet materiale
të këtyre dy javëve kanë kapur
shifra alarmante. Si pasojë e
grevës ajrore, fluturimet në aeroportin
e Athinës janë ndaluar
për disa orë. Kërkesat e grevistëve
kanë qenë kryesisht për rritje
rroge. Grevat masive organizohen
nga sindikata ADEDY. Të mërkurën,
protestat varën në muret e
Skropolit parulla të mëdha, në të
cilat bëhej thirrje për rezistencë.
Kryeministri konservator, Kostas
Karamanlis, i ka refuzuar të gjitha
thirrjet e deritanishme për largim
nga posti, pavarësisht se presioni
publik ka qenë shumë i madh.
Megjithatë, në fillim të javës ai
deklaroi se ishte i ndërgjegjshëm
për disa probleme me të cilat po
përballen njerëzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›