E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet sërish "Banda e Durrësit

Seanca gjyqësore ndaj "Bandës së Durrësit" është
shoqëruar dje me debate të shumta mes palës
së akuzës dhe asaj mbrojtëse. Shkak është bërë
dorëzimi para Gjykatës së Krimeve të Rënda i një
raporti mjekësor, që justifikonte mospraninë e njërit
prej avokatëve mbrojtës në proces për shkak të
gjendjes shëndetësore.
Nisur nga kjo, përfaqësuesi i akuzës pretendoi se
mosprezenca e palës mbrojtëse po zvarrit procesin
ndaj "Bandës së Durrësit". Ndërkohë që, disa avokatë
të pranishëm në sallën e gjyqit, e konsideruan të
justifikuar mungesën e kolegut të tyre. Debate të tjera
janë bërë edhe për kërkesat e disa të pandehurve për
procedimin e tyre veçmas nga gjykata, me pretendimin
se në proces janë të akuzuar shumë persona dhe
rrjedhimisht edhe shumë avokatë, çka ka pasur
ndikim në zvarritjen e gjyqit. Por, kërkesa është
kundërshtuar nga prokuroria dhe më pas edhe nga
gjykata, e cila argumentoi se të pandehurit akuzohen
për të njëjtat vepra penale të kryera në kuadër të organizatës
kriminale dhe për këtë duhet të procedohen
së bashku. Për të përshpejtuar këtë proces,
gjykata ka pranuar kërkesën e organit të akuzës për
zhvillimin dy herë në javë të seancave gjyqësore. Me
cilësinë e të pandehurit si anëtarë të "Bandës së Durrësit"
janë marrë nga prokuroria 16 persona, të cilët
akuzohen për disa vepra të rënda penale, ndër të cilat
disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›