Sulmet me bomba në Bagdad, 75 të vdekur dhe 300 të plagosur
75 persona kanë humbur jetën dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur nga një mori sulmesh gjatë ditës së djeshme në Irak. Të paktën pesë shpërthime kanë ndodhur në qendër të Bagdadit, që është dhuna më e rëndë që ka goditur qytetin brenda disa muajsh.
Objektivi kryesor i këtyre sulmeve duket se kanë qenë ndërtesat qeveritare. Shpërthimi më i madh besohet të jetë shkaktuar nga një kamion bombë në afërsi të Ministrisë së Jashtme të Irakut, para zonës së Gjelbër, e cila ka mbrojtje të fuqishme. Njoftimet bënë të ditur edhe për katër shpërthime të tjera në kryeqytetin irakian, përfshirë një sulm mbi Ministrinë e Financave. Vala më e fundit e sulmeve është e pazakonshme në këtë rast pasi incidentet e mëparshme ishin përqëndruar në lagjet e varfëra që nuk kishin mbrojtje të mjaftueshme. Dita e sotme ka qenë më e përgjakura në Irak që nga tërheqja e trupave amerikane nga qytetet qershorin e kaluar. Disa nga sulmet kanë ndodhur pranë ndërtesave të disa ministrive. Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë ishte në mesin e të mbijetuarve nga sulmi pranë Ministrisë së Jashtme.
Vdekja e ish-presidentit, Pheniani ngushëllon Seulin
Vdekja e ish-presidentit koreanojugor Kim Dae-jung, bëri që Koreja e Verit t’i dërgonte ngushëllimet e tij autoriteteve të Koresë së Jugut. Burime nga Penijani bëjnë të ditur se për ta ndëruar ish-presidentin në funeralin që do të zhvillohet në Seul, do të dërgohet një delegacion. Ish-presidentit koreanojugor, Kim Dae-jung vdiq ditën e martë. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qënë jo të mira që kur qeveria e re konservatore erdhi në pushtet në Korenë e Jugut, përpara 18 muajsh. Kim Dae-jung bëri vizitën e tij të parë të një udhëheqësi koreanojugor në veriun komunist, në vitin 2000 në kuadër të politikës së tij të ripajtimit, për të ribashkuar gadishullin e ndarë korean.
Rusia do të rishikojë shitjen e raketave për Iranin
Takimi me presidentin e Izraelit Shimon Perez, i ka shërbyer presidentit rus Dmitri Medvedev të impenjohet për rivlerësimin e shitjes së raketave tokë-ajër S-300, prodhim rus, Iranit. Ky vendim, sipas Perez, do të ndryshonte pozitivisht ekuilibrin e forcave në rajon. “Medvedevit i kam shpjeguar se kjo histori mund të ndryshojë ekuilibrin e forcave në rajonin tonë”,- është shprehur presidenti izraelit, Shimon Peres, i cili ndodhej për një vizitë në Rusi. Moska është e pasigurtë nëse do të dorëzojë apo jo sistemin e ri të mbrojtjes antiajrore të teknologjisë së lartë, që do të bënte të veshtire bombardimin nga ana izraelite të impianteve bërthamore iraniane.
20 Gusht 2009