E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina, sinkron me Berishën për dënimin e Bollanos

Zëvendësministri i Jashtëm Grek për çështjet e diasporës, Theodhoros Kasimis, zhvilloi dje një vizitë në Himarë, ku u takua me autoritet lokale. Gjatë takimit me kryetarin e bashkisë së qytetit dhe njëkohësisht kryetar i organizatës "Omonia" të minoritetit grek, Vasil Bollano, ata diskuatuan çështje të zhvillimit infrastrukturor të zonës si dhe panë nga afër punimet ne disa projekte të financuara nga qeveria greke. "Këtu jeton një pjese aktive e minoritetit grek që së bashku me gjithë popullin shqiptar duhet të punojnë fort për zhvillimin dhe prosperitetin e tyre", tha Kasimis, kur doli nga takimi në Bashkinë e Himarës.

Ai u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me problemet e brendshme në organizmat që përfaqësojnë minoritetin grek pas çarjes së fundit që shkaktoi vendimi për t‘u larguar nga aleanca me PD-në dhe për t‘u afruar me socialistët. "Çështja e zgjedhjeve politike në Shqipëri dhe pozicionimi i çdo subjekti, është një çështje e brendshme e këtij vendi dhe ne nuk na intereson. E rëndësishme është që si populli shqiptar ashtu edhe minoriteti grek, të punojnë së bashku në të mirë të zhvillimit dhe të integrimit sa më të shpejtë të vendit në strukturat evropiane" tha ai. Lidhur me vendimin e gjykatës së Vlorës për dënimin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ai u tregua i kujdesshëm duke thënë shkurt: "Deklarata e kryeministrit Berisha e shpreh edhe e përmbledh mjaft mirë këtë çështje".

Zëvendësministri i Jashtëm grek tha se një vit pas vizitës së tij të fundit në Himarë, kishte gjetur një zonë më të zhvilluar dhe me një infrastrukturë rrugore shumë më të mirë.

Dje Kasimis ishte edhe ne disa zona minoritare në Gjirokastër, Sarandë e Delvine ku mori pjesë në përurimin e veprave infrastrukturore si ura, rruge e shkolla që lidhin fshatrat me qendrat urbane, vepra të financuara nga një projekt i Ministrisë së Jashtme greke për zonat ku banon kryesisht minoriteti grek. Theodhoros Kasimis tha se vjet Greqia financoi në Shqipërinë e Jugut 48 milionë euro për infrastrukturën, ndërsa totali për 6 vitet e fundit arrin ne 210 milion euro".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›