E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka internet, probleme me kartat në shumë zona të Durrësit

Probleme në shpërndarjen e kartave në Qarkun e Durrësit, ndërkohë që në Maminas e Thumanë problemet në rrjetin kompjuterik kanë shkaktuar ndërprerje të procesit të aplikimit. Ndërkaq, shqetësime për aplikimin ka pasur edhe në zona të tjera.

Përfaqësues të OSBE-së kanë mbërritur dje në Maminas, pasi janë njohur me shqetësimin e banorëve të kësaj zone, për të parë nga afër situatën e krijuar. Ata kanë kërkuar informacion dhe më pas kanë lëvizur drejt njësive të tjera vendore të këtij qarku, në të cilat ka pasur sinjale për ndërprerje të procesit të aplikimit. Në Maminas, por edhe në Thumanë, është ndërprerë prej dy ditësh aplikimi për pajisjen me kartë identiteti për shkak të problemeve me kompjuterin dhe sinjalin e internetit. Prefekti i Durrësit, Klodian Pajuni, shpjegon se problemi nuk ka të bëjë me ndërprerjen e sinjalit të internetit që lidh kompjuterët në zyrat e aplikimeve me Ministrinë e Brendshme, por me ngarkesën e rrjetit dhe rënien e linjës për shkak të fluksit në aplikime.

Në Komunën Maminas, gjatë një konference për shtyp u bë e ditur se sinjali ka qenë i ndërprerë prej dy ditësh dhe megjithëse është vënë në dijeni Ministria e Brendshme, aplikimi është ndërprerë, ndërsa persona të shumtë kthehen të revoltuar nga sportelet e aplikimit, pasi nuk kishin mundësi të aplikonin, ndërkohë që mungonte njoftimi publik mbi situatën e krijuar.

Në nivel qarku në Durrës janë kryer 87859 aplikime, pa qytetin e Fushë-Krujës, ndërsa janë prodhuar 42349 karta identiteti. Problem ngelet tërheqja e kartave të përgatitura, veçanërisht në rajonin nr.5 të Durrësit.

Frika nga radhët për të siguruar dokumentin konsiderohet si shkak kryesor i këtij problemi, që vë në rrezik dhe procesin e votimit. Prefekti Pajuni, nëpërmjet "Shqip", bën apel që qytetarët të paraqiten pranë sporteleve për të tërhequr kartat, si dhe fton opozitën në Durrës të jetë aktive në këtë drejtim, duke vlerësuar rëndësinë e procesit dhe të pasjes në dorë të kartës për të siguruar një proces zgjedhor pa probleme.

Një nga komunat ku procesi i aplikimit nisi me vonesë ka qenë ajo e Niklës në Rrethin e Krujës. Për shkak të cilësisë së furnizimit me energji elektrike, pajisjet nuk funksiononin. Aktualisht në këtë komunë janë kryer 400 aplikime, si dhe janë prodhuar 100 karta për aplikuesit. Numri i personave pa pasaportë në Nikël është 2698.

Ndërkaq, në Maminas, nga 5000 votues kanë aplikuar deri tani 1500 persona, ndërsa 1100 është numri i atyre që nuk kanë pasaportë.

Njoftohet se probleme për shkak të sinjalit të internetit ka pasur edhe në Shijak, ku ka 1745 persona pa pasaportë, në Thumanë 3300, Cudhi 1018 etj.

Një tjetër problem shqetësues në Qarkun e Durrësit është dhe prodhimi i kartave falas për një kategori të caktuar, kryesisht militantësh të djathtë, dukuri kjo që u vu në dukje dhe në emisionin investigativ, "Fiks Fare".

Në qytetin e Durrësit ka shumë egjiptianë dhe romë që deklarojnë se e kanë blerë kartën me 1200 lekë dhe nuk janë rimbursuar ashtu siç e parashikon ligji.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›