E Hënë, 2 Nëntor 2026

Athinë, 10 mijë përleshen me policinë

 

Mijëra protestues janë përleshur dje me policinë në sheshin para Parlamentit në Athinë, duke i detyruar tregtarët dhe njerëzit në kafenetë pranë qendrës të largohen për t'i shpëtuar valës së dhunës. Familjarët janë larguar menjëherë nga karuseli i vendosur në sheshin "Syntaga". Sipas AP, policia është përpjekur të shpëtojë nga djegia pemën e Krishtlindjeve bashkë me zjarrfikësit, e cila është zëvendësuar vetëm pak ditë më parë, pasi u dogj nga protestuesit gjatë javës së parë të trazirave. Protestuesit janë shkëputur nga një tubim i paqshëm dhe kanë goditur policinë dhe ndërtesën e parlamentit me gurë dhe molotov, kanë dëmtuar makina dhe i kanë vënë flakën kazanëve të plehrave. Ata u kanë hedhur policëve në trup e fytyrë edhe bojë të kuqe. Ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës. Zemërimi për vrasjen e 15-vjeçarit nga policia është bashkuar me pakënaqësinë për çështje të tjera ekonomike në pjesë të tjera të shoqërisë greke. Dje u shënua dita e tretë e protestave, të cilat nuk kanë reshtur as edhe gjatë natës. Llogaritet se rreth 10 mijë vetë iu bashkuan një proteste në kryeqytet. Protestuesit u mblodhën jashtë ndërtesës së një universiteti dhe marshuan drejt parlamentit me sloganet "Poshtë qeveria e gjakut, varfërisë dhe privatizimeve". Sipas raportimit nga agjencia "Reuters", dhuna shpërtheu në sheshin qendror ku ndodhet ndërtesa e parlamentit, ndërsa protestuesit gjuajtën me bomba molotov. Gjatë protestave të mëparshme pema ishte djegur dhe zëvendësuar nga autoritetet. Gjatë valës së protestave në Greqi, rreth 70 persona janë lënduar dhe 400 janë arrestuar. Qindra dyqane dhe banka janë plaçkitur dhe shkatërruar. Ndërkohë, një polic është paditur për vrasjen e Alexandros Grigoropoulos. Kryeministri Kostas Karamanlis i ka hedhur poshtë thirrjet për të lënë postin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›