E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Mjekët me status mbrojtës, njësoj si prokurorët

 

zirina llambro

Mjekët do të kenë status të ngjashëm me atë të prokurorëve dhe punonjësve të policisë. Këtë garanci u ka dhënë qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Pas ndërprerjes së protestës, qendra spitalore "Nënë Tereza" i është rikthyer normalitetit. Dje rinisën edhe operacionet e planifikuara, të cilat u ndërprenë të mërkurën. "Ne kemi rënë dakord që puna do të vazhdojë dhe qytetarit për asnjë çast nuk do t'i mungojë shërbimi shëndetësor", deklaroi Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo. Sipas saj, e gjithë kjo situatë nuk ka të bëjë me pacientët dhe nëse mjekët bëjnë grevë, është në dëm të gjithë shërbimit shëndetësor. Ajo komentoi edhe takimin e dy ditëve më parë me zv.kryeministrin Genc Pollo, përfaqësuesit e Fakultetit të Mjekësisë dhe mjekë të njohur të QSU. "Në takimin e zhvilluar me mjekë të QSUT-së, u ra paraprakisht dakord për disa ndërhyrje që mund të bëhen në legjislacion, në mënyrë që mjeku të ketë një lloj statusi të ngjashëm me të një punonjësi policie, prokurorisë. Kjo për të garantuar një mbrojtje të veçantë, në mënyrë që çdo qytetar, të cilit i vjen në mendje të fyejë verbalisht ose fizikisht, të mendojë mirë veprimin që po bën", tha  Godo. Ajo shtoi se tashmë ka nisur puna për të përmbushur këtë kërkesë. "Në këtë mënyrë ne do të ndërhyjmë për të minimizuar, mundësisht për të çuar në zero, fenomenin e pahijshëm të dhunës që është vënë re kohët e fundit", nënvizoi ministrja. Protesta e mjekëve të QSUT-së nisi dy ditë më parë si reagim pas plagosjes me thikë të mjekut endokrinolog Agron Ylli. Kjo ngjarje shënoi rastin e tretë brenda këtij viti të dhunës ndaj bluzave të bardha, pas dhunës ndaj kardio-kirurgut Ali Refatllari dhe mjekut neurolog të spitalit të Vlorës, Kosta Koçi. Bluzat e bardha kërcënuan me bojkot të punës së tyre derisa t'u plotësoheshin kërkesat. Por të thirrur nga zv. kryeministri Genc Pollo, ata anuluan protestën. Kjo pas garancisë për mbështetje nga qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›