Shalsi: Akuzat për buxhetin e 2009 janë politike
"Buxheti i 2009-ës është më transparenti". Kështu ka reaguar Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eduard Shalsi pas mbledhjes së Shoqatës së Këshillit Bashkiak. Ai shtoi se procesi i hartimit të këtij buxheti është një ngjarje e rëndësishme për kryeqytetin dhe nuk duhet të futet kurrsesi në hulli politike. "Me keqardhje konstatojmë se inatet, mllefet, mërirat që ndeshim në majat e larta të politikës, po bëhen pjesë edhe të disa Njësive Bashkiake, roli i të cilave është të jenë sa më afër qytetarit dhe sa më larg politikës shterpë", tha Shalsi. Sipas tij, me pyetësorin e përvitshëm të quajtur Transparenca, janë qytetarët që identifikojnë nevojat e tyre si dhe përcaktojnë prioritetet se ku duhet të investojë Bashkia e Tiranës. "është miratuar një fond këtë vit që është në masën e 10% të investimeve, të cilin e përcaktojnë direkt qytetarët. Ndërkohë që nuk e kuptojmë se çfarë kërkon zëdhënësi i absurditeteve të selisë së PD-së, pasi Njësia Bashkiake që ai drejton është e denjë për një rekord Ginnes, duke qenë se janë mbledhur vetëm 5.6 % e të ardhurave nga taksat e tarifat e familjarëve dhe ai ka shumë për të mësuar se si të mbledhë, para se të mësojë të administrojë", deklaroi Shalësi. Ky reagim vjen menjëherë pas kundërshtive të forta, që buxheti i 2009 ka hasur në mbledhjen e krerëve të njësive vendore. Në takimin e dy ditëve më parë, ata pohuan se Rama është tallur me qytetarët dhe nuk ka marrë parasysh kërkesat e tyre gjatë hartimit të projektbuxhetit.