Burrel, zjarri shkrumbon 6 shtëpi
BURREL - Digjen totalisht 6 shtëpi banimi në qendër të qytetit të Burrelit, në lagjen "Partizani" të këtij qyteti. Rreth orës 10:00 një shtëllungë e madhe tymi është ngritur mbi qytet, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Spitalit", ngjitur me kopshtin nr.3. Menjëherë banorët kanë kërkuar ndihmë, por sipas tyre zjarrfikësja, ndonëse ndodhet vetëm 200 metra larg, ka mbërritur me 20 minuta me vonesë. Ajo çka kishte ngjallur frikë e panik në qytet kishte të bënte me fëmijët e kopshtit nr.3. Objekti i ndërtuar vetëm pak ditë më parë ndodhej ngjitur me shtëpitë e përfshira nga flakët. Por, fëmijët janë nxjerrë me shpejtësi nga edukatorja e tyre. Familjarët e 6 shtëpive kanë mundur të nxjerrin pjesëtarët e tyre të familjes, ndërkohë bashkëqytetarët janë përpjekur t'u vijnë në ndihmë, duke nxjerrë ç'të mundnin. Pas afro 30 minutash shtëpive u kanë mbetur vetëm muret prej guri, mure të ndërtuara disa dekada më parë. Djegia totale e 6 shtëpive ka lënë të pastrehë afro 43 qytetarë, të cilët duhet të kalojnë natën në të ftohtë dhe pa kurrfarë mjetesh për mbijetesë. Nga të dhënat paraprake thuhet se shkak për ngjarjen është bërë energjia elektrike. Ndërsa nga ana e tyre, banorët pohojnë se ngjarja ishte e qëllimshme, pasi janë kërcënuar të largoheshin pasi aty do të ndërtohet një pallat. h.p