Ndërkombëtarët vodhën mbi 400 milionë euro në Kosovë
Ndërkombëtarët në Kosovë kanë vjedhur mbi 400 milionë euro nga paratë e tatimpaguesve evropianë, një pjesë e mirë e të cilave ishin të dedikuara për sektorin e energjetikës. Skandali është publikuar nga gazeta gjermane "Die Welt", e cila ka mundur të fusë në dorë një raport të fshehtë prej dy grupeve të pavarura hetimore, nga BE dhe OKB. Sipas këtij raporti, korrupsioni dhe mashtrimi në Kosovë janë kryer përmes tenderëve dhe ky ka qenë një proces i përditshëm. Një grup i përbashkët hetimor nga Autoriteti i BE-së kundër Korrupsionit dhe Mashtrimit, i përbërë edhe nga hetues të Kombeve të Bashkuara dhe Policia Financiare e Italisë, ka zbuluar rreth 50 raste të dyshuara për korrupsion dhe mashtrim parash. Në 12 prej tyre është dëshmuar veprimtari kriminale. Në 27 raste janë konstatuar parregullsi të procedurave dhe shkelje të rregullave të Kombeve të Bashkuara. Në raport thuhet se 2.3 miliardë euro të tatimpaguesve evropianë janë derdhur në rindërtimin e Kosovës që nga viti 1999. Kjo do të thotë se BE-ja në Kosovë ka investuar më shumë para se në çdo vend tjetër jashtë Bashkimit Evropian. Deri në vitin 2011, BE-ja do të derdhë në Kosovë edhe një miliard euro të tjera. Por sipas dy raporteve, një pjesë e madhe e parave ka humbur kanaleve të errëta. "Kombet e Bashkuara kanë lejuar korrupsionin dhe mashtrimin. Miliona pa numër të tatimpaguesve nga vende të Bashkimit Evropian janë vjedhur pa gjurmë, kurse fajtorët shëtisin të lirë", citon "Die Welt" zëdhënësen e Komisionit për Kontrollin e Buxhetit të Parlamentit Evropian, Ingre Gressle. Brukseli është zotuar se nuk do të lejojë që kjo të ndodhë edhe më tej. Në raportin e dy institucioneve detajohet se keqpërdorim dhe vjedhje janë bërë edhe me rastin e rindërtimit dhe investimeve në aeroportin e Prishtinës. Manipulimet janë bërë kryesisht gjatë shpalljes së tenderëve, konstatohet në raport, pjesë nga i cili boton në numrin e djeshëm gazeta gjermane "Die Welt".
Prishtinë, thirrje serbëve për decentralizimin
Në Prishtinë kanë nisur debatet mes zyrtarëve të shtetit të ri dhe përfaqësuesve serbë në Kosovë për të zgjidhur çështjen e rëndësishme të decentralizimit. "Decentralizimi dhe formimi i komunave të reja me popullatë serbe nuk mund të zbatohen pa bashkëpunimin e përfaqësuesve serbë", tha ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili ka shprehur gatishmërinë për të pranuar edhe bisedime me Beogradin zyrtar për të zgjidhur disa pika të diskutueshme për serbët e Kosovës. "Unë si ministër i Kosovës jam i gatshëm dhe thërras të gjithë ata që janë të interesuar për jetën e qytetarëve në Kosovë, qoftë ai edhe ministër i Serbisë, apo ministër i Malit të Zi apo Shqipërisë, ta kemi një takim të përbashkët", theksoi Ferati gjatë një konference të përbashkët me kryetaren e Këshillit Nacional Serb për Graçanicën, Rada Trajkoviç dhe deputetin Sllobodan Petroviç. E tërë konferenca është përshkruar me replika të shumta ndërmjet Rada Trajkoviçit, si bojkotuese e institucioneve të Kosovës dhe Sllobodan Petroviçit, që merr pjesë në institucione, lidhur me atë se kush i mbron më mirë interesat e serbëve. Por të dy janë pajtuar se decentralizimi është një prej proceseve të menduara që të jetë në rend të parë në interesin e komunitetit serb në Kosovë.