E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, atentati për larje hesapesh

Në shënjestër të atentatit mafioz, që u mori jetën dy shqiptarëve dhe një rumuni mbrëmjen e së mërkurës në Athinë, ka qenë Afrim Zeneli, nga Berati personazh i njohur nga policia greke për implikim në trafiqe të paligjshme. 

Marko Caka / Athine

Ai është identifikuar dje pas verifikimeve që policia i bëri kufomës së tij, e cila u dërgua ne morg menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së mërkurë. Sipas hetuesve, emigranti 38-vjeçar nga Berati ka qenë objekti i atentatit, që ndodhi në lokalin e një shqiptari në kryqëzimin e rrugëve "Alkiviadhu" e "Pipinu" në Athinë. Persona të paidentifikuar hapën zjarr me Kallashnikov në brendësi të lokalit, duke vrarë Afrim Zenelin, por duke shkaktuar edhe vdekjen e dy personave të pafajshëm që nuk kishin lidhje me ngjarjen. Plumbat e derdhur me breshëri, ekzekutuan Fluturim Lalën, 24 vjeç, emigrant shqiptar nga Mirdita dhe kamerierin e lokalit nga Rumania, Ilie Krejanu. Ekzekutorët, të cilët ndaluan me një makinë para lokalit dhe më pas hapën zjarr në brendësi të tij, besohet se kishin për qëllim larjen e hesapeve me Afrim Zenelin, i cili ndodhej në listat e Interpolit të policisë, për implikim në veprimtari kriminale të trafiqeve të paligjshme. Policia greke edhe dje ka vijuar kërkimet për autorët e ngjarjes, të cilët janë zhdukur pa lënë gjurmë. Ndërkaq, lokali ku ndodhi ngjarja, thuajse i shkatërruar, është mbyllur në dispozicion të hetimit. Shtetasi grek Jorgo Stamati tregoi dje për “Panorama” ngjarjen në të cilën ai ishte dëshmitar okular.
Ku ishit kur ndodhi ngjarja?
Isha në shtëpi, pak metra larg lokalit. Sapo kisha ngrënë darkën dhe po shikoja televizion. Rreth orës 22:00 dëgjova disa të shtëna. Mendova se mos janë fishekzjarrë, sepse këtu fëmijët në lagje luajnë shumë shpesh me njëri-tjetrin. Por kur krismat u bënë të pandara në formë breshërie, i thashë gruas se kjo gjë nuk më dukej e mirë. Dola të shikoj në ballkon për të mësuar çfarë ka ndodhur. Pashë një makinë që kishte ndalur dhe një person me armë kallashnikov po hynte me shpejtësi brenda. Nga ballkoni nuk i dallova viktimat, por kur dola jashtë nga porta e pallatit pashë njerëz që po afroheshin në drejtim të lokalit. Ata thanë se kishte ndodhur një vrasje.
Qëndruat aty nga frika e të shtënave apo shkuat dhe ju në vendngjarje?
Shkova, se një ngjarje e tillë me të vërtetë të tërheq vëmendjen. Donim të mësonim çfarë kishte ndodhur dhe kush u vra. U afrova dhe pashë se ishin mbledhur me dhjetëra banorë që donin të jepnin ndonjë ndihmë megjithëse çdo gjë kishte mbaruar. Ata që ishin prekur nga plumbat, të gjithë ishin të vdekur. Ishte një pamje rrëqethëse, vendi kudo mbulohej nga gjaku, nuk e kisha përjetuar ndonjëherë. Ishte një vrasje tipike mafioze.
Nga viktimat njohët ndonjërin?
Po, njoha Fluturimin, i cili banonte afër meje. Sapo e pashë mu duk e pabesueshme. Mësova që ai dhe rumuni ishin të pafajshëm dhe nuk kishin të bënin me vrasësit. Fluturimi ishte rastësisht aty dhe lus Zotin që jam mirë se në atë vend unë kaloj shpeshherë dhe mund të isha viktimë e plumbave qorr. Kjo është me të vërtetë një tragjedi, se humbën dy jetë njerëzish që mesa kam dëgjuar nuk i kanë bërë dëm njeriu. Madje Fluturimi e ëndërronte shumë të ardhmen, por gjithnjë donte të punonte me punë të ndershme dhe jo si disa që duan të pasurohen shpejt me krime.
Kur dhe si jeni njohur me Fluturimin?
Fluturimin e kam njohur nga afër disa kohë më parë. Çdo ditë pinim dhe kafen e mëngjesit në të njëjtën kafene. Ishte një djalë i respektueshëm. Vinte të kërkonte punë dhe na përshëndeste të gjithëve.
Çfarë pune bënte?
Bënte punë nga të gjitha, herë merrej me transport, herë me ndërtim. Siç më thoshin njerëzit, ishte shumë punëtor dhe djalë me zemër të madhe. Jam shumë i pikëlluar për këtë vdekje të papritur.
Po pastaj çfarë ndodhi pasi patë viktimat e shtrira në tokë?
Kishim mbetur duke parë viktimat dhe qaja nga fatkeqësia e tyre. Nuk mund të bënim asgjë, sepse duhej të vinte policia që të konfirmonte vrasjen dhe të kryente hetimet.
Kur erdhi policia?
Policia nuk vonoi shumë dhe një lëmsh me makina të tyre erdhën e rrethuan vendin e ngjarjes. Keqbërësit ishin zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, targat e makinës së tyre as unë nuk i dallova nga errësira. Të gjitha rrugët kryesore u bllokuan me kordonë të kuq të policisë me një numër të madh gazetarësh që interesoheshin për ngjarjen.
Ju u pyetët për ngjarjen si dëshmitar okular?
Një hetues më beri disa pyetje dhe u përgjigja për aq sa kisha parë. Fola edhe për njohjen e djaloshit shqiptar nga Mirdita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›