E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditëlindja e Izraelit, Topi i ftuar në drekën e Presidentit Bush

Në ditën e tretë të vizitës në Izrael, kreu i shtetit, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, kanë qenë të ftuarit e Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush në aktivitetin e veçantë të organizuar për nder 

 të 60-vjetorit të krijimit të Shtetit të Izraelit, ku Presidenti Topi është takuar dhe ka zhvilluar një bisedë të ngrohtë e miqësore me Presidentin Bush. "Në paraditen e sotme, Presidenti Topi, Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar kanë vizituar qytetin e vjetër të Jeruzalemit dhe disa nga vendet e shenjta si edhe Murin Perëndimor", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës. Gjatë ditës së djeshme, i ftuar nga Presidenti izraelit, Shimon Peres, Presidenti Topi mori pjesë gjithashtu në seancën plenare përmbyllëse të konferencës "Përballja me të nesërmen". Dje në mbrëmje Topi zhvilloi edhe një takim me bashkësinë izraelito-shqiptare, e cila është vendosur dhe jeton prej vitesh në Izrael. Paraditen e djeshme kreu i shtetit, nderoi kujtimin e heronjve të Holokaustit, gjatë vizitës në Muzeun e ri të Jad Vashemit në Jeruzalem, në murin e të cilit janë gdhendur edhe emrat e gjithë shqiptarëve që kanë strehuar dhe shpëtuar hebrenj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›