E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Duhet të forcojmë familjen me politika konkrete

LSI ka kërkuar nga qeveria, politika më konkrete për familjen në Shqipëri. 

Me rastin e "Dita botërore e familjes", Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një konferencë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga shoqëria civile e OJF. Kreu i LSI-së, Ilir Meta theksoi në fjalën e tij se duhet të forcohet roli i familjes, për të përballuar sfidat e reja të shoqërisë shqiptare. Sipas Metës, bazat e një shoqërie solide hidhen në familje, prandaj duhet t'i kushtohet më shumë vëmendje. Gjithashtu, ai vuri theksin në mënyrë të veçantë për mbështetjen e gruas, si një domosdoshmëri për forcimin dhe konsolidimin e familjes. "Është për të ardhur keq që numri i rasteve të krimeve brenda familjes, i dhunës brenda familjes është rritur në mënyrë kritike dhe kjo vjen për arsye të rritjes së varfërisë dhe të depresionit të një pjese të mirë të shoqërisë sonë, një depresion i cili më pas shkarkohet në familje dhe në zemër të saj. Është për të ardhur keq gjithashtu, që prishja e familjes në jo pak raste konsiderohet edhe si një lloj moderniteti, kur në fakt duhet të jetë forcimi i saj, i vlerave që e mbajnë të bashkuar një familje, që duhet të jenë shtyllat e referimit tonë moral dhe social", u shpreh Meta. Ndër të tjera, kryetari i LSI-së theksoi vullnetin e forcës politike që ai drejton, për t'i ardhur në ndihmë moshës së tretë, si një element të solidaritetit brenda familjes në vazhdim të traditës shqiptare. Kryealeancisti Neritan Ceka është regjistruar në grupin parlamentar LSI-PDS, pas kërkesës nga kryetarja e parlamentit për riformatimin e grupeve parlamentare.       a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›