E Diel, 1 Nëntor 2026

Athinë, ekstremistët djegin faltoret e myslimanëve

 

Emigrantët myslimanë janë sulmuar dje me bomba gazi e janë kërcënuar nga zjarri në një magazinë në Athinë, të cilën ata e përdorin si një qendër për lutje (xhami të improvizuar), ku u plagosën disa persona. Sipas mediave greke, të plagosurit u dërguan në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen, por edhe djegieje. Ngjarja që ndodhi mëngjesin e së shtunës, kur disa ekstremistë të djathtë, ende të paidentifikuar nga policia greke, hodhën fillimisht bomba gazi dhe më pas i vunë flakën faltores së myslimanëve në Athinë. Emigrantët e plagosur, rreth 5, pësuan djegie të shkallës së dytë dhe ndodhen ende në spital. Ngjarja pritet të kontribuojë në akte të tjera dhune mes emigrantëve dhe policisë, të cilat kanë nisur që të enjten në mbrëmje. Sulmi ndodhi një ditë pas përleshjeve të dhunshme mes më shumë se 1,000 protestues myslimanë me policinë greke në qendër të Athinës, që morën shkak nga grisja dhe përdhosja e një kopje të librit të shenjtë të islamit, Kur’ani-t nga policia greke. Autoritetet në Athinë thanë se të paktën 45 protestues u arrestuan, ndërsa shtatë nga protestuesit myslimanë dhe shtatë policë u plagosën dhe u transferuan në spital për mjekim. Më shumë se 70 makina, dhjetë dyqane dhe një bankë u dëmtuan gjatë përleshjeve të dhunshme, të cilat tronditën dhe frikësuan turistët që vrapuan për t’u mbrojtur në hotelet aty pranë. Emigrantët u indinjuan sepse, gjatë një kontrolli të policisë për dokumentet në një kafene të enjten vonë në qendër të Athinës, një oficer i mori një konsumatori (një siriani) Kur’anin, e shqeu, e hodhi në dysheme dhe e shkeli atë. Policia ka nisur hetim në incidentin. Myslimanë, një pjesë e të cilëve jetojnë në mënyrë të paligjshme në Greqi për të kërkuar një jetë më të mirë, por ata shpesh janë ankuar nga brutaliteti i policisë. Shumica e emigrantëve jetojnë në varfëri në qendër të Athinës dhe nuk u lejohet të punojnë. Ata përballen me arrestimin për krimet më të vogla. Myslimanët që jetojnë në Athinë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me ndërtimin e një xhamie, për të cilën Greqia është zotuar më shumë se një vit më parë. Athina është i vetmi kryeqytet evropian, i cili nuk ka një xhami të duhur për të shërbyer. Aty jetojnë më shumë se 300.000 banorë myslimanë, kryesisht nga pjesë të ndryshme të Afrikës veriore dhe Pakistani. Të vetmet xhami në Greqi janë në verilindje, në rajonin e Trakës, ku jetojnë rreth 100,000 myslimanë.

Reagimi i Turqisë

Pas trazirave kundër myslimanëve në Greqi, autoritetet turke kanë kërkuar mbrojtje të siguruar për minoritetin turk në ishujt grekë. Sipas gazetës greke “Vima”, Ankaraja e ka ngritur në Këshillin e Evropës çështjen e minoritetit turk në ishujt Rhodes dhe Kos. Sipas kësaj gazete, eurodeputeti suedez, Andreas Gross, anëtar i Këshillit të Parlamentit Evropian, ka paraqitur për votim një draft-rezolutë të titulluar “Situata e minoritetit turk në ishujt Rhodes dhe Kos”. Gazeta greke e komenton masën, të mësuar nga kanalet e saj diplomatike, si arma e Ankarasë për politikën e jashtme me Greqinë. Sipas gazetës, ekspertët e çështjeve minoritare theksojnë se Ankaraja po përdor gabimet e Greqisë për të forcuar pozicionet e saj.

Reagime

Ministri i Brendshëm grek, Christos Markoyiannaki tha se “rasti i veçantë dhe në hetim e sipër nuk i justifikon episodet”, kurse zëdhënësi i qeverisë ftoi emigrantët, që jetojnë në Greqi të respektojnë rendin dhe ligjin, duke u kujtuar se shteti “nuk do të lejojë sjellje të tilla ekstreme”. Por kryetari i partisë nacionaliste “Alarmi Popullor Ortodoks”, Jorgos Karaxhaferis, paralajmëroi emigrantët “që të mos harrojnë se janë myslimanë të paftuar në një vend të krishterë”. Aktivistë të të drejtave të njeriut thanë se protestat treguan se emigrantët “kanë zë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›