Drejtori i dhunuar: Ka vetëgjyqësi
DELVINE/ SHPRESA DINE
Arrestohet dhunuesi i drejtorit të spitalit të Delvinës. Shkëlqim Isufi u prangos nga policia e qytetit disa orë pas goditjes së mjekut dhe kandidatit republikan për deputet në Vlorë, Ilir Gazeli. Ndaj tij është formuluar akuza e goditjes për shkak të detyrës. Ndërsa nga ana e tij, Gazeli pohon nga reanimacioni se nuk i ka ngelur gjë, veçse të bëjë vetëgjyqësi.
Mësohet se autori është vetëdorëzuar në policinë e Delvinës, për t’u transferuar më pas në komisariatin e Sarandës. Nuk është bërë e ditur se si ka qenë reagimi i 35-vjeçarit Shkëlqim Isufi për ngjarjen, ndonëse ai është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Drejtues të policisë lokale të Delvinës, thanë se nga hetimet paraprake, shkak i konfliktit mes dy palëve është debati për çështjen e furnizimit të automjeteve të spitalit të Delvinës tek pika e karburantit, pronar i të cilës është Isufi. “Hetimet në proces do të verifikojnë pretendimet e palëve rreth ngjarjes”, u shprehën burimet policore, duke aluduar për motivet politike që sipas drejtorit Gazeli çuan në këtë ngjarje në mes të qytetit e me shumë dëshmitarë. Pas denoncimit në policinë e Delvinës mbrëmjen e së premtes, viktima Ilir Gazeli ka shkuar në spitalin e Sarandës. Gjendja problematike e mjekut Gazeli, sipas burimeve spitalore të Sarandës, bëri që mjekët ta shtrojnë atë në reanimacion për trajtim intensiv. Edhe pse në gjendje jo të mirë, Gazeli është shprehur se në asnjë rast Isufi nuk i ka bërë kërkesë për të furnizuar mjetet me karburant, duke pohuar se ngjarja ka prapavijë politike. “Personi që më ka dhunuar nuk bën vetëm me mua kështu. Ai nuk është militant i Partisë Demokratike se Partinë Demokratike në Delvinë e kam themeluar vetë. Me këtë që ndodhi ka mbetur vetëm vetëgjyqësia tani. Nuk mundem të flas dot, më shihni ku jam, në reanimacion. Isha duke ikur për në shtëpi dhe personi që më ka katandisur në këtë gjendje më kishte zënë pritë. Më qëlloi më grusht dhe unë rashë përtokë pa ndjenja dhe nuk mora vesh se ç’ndodhi, nuk mbaj mend asgjë nga ngjarja e së premtes në mbrëmje”. Gazeli thotë se motivet e ngjarjes nuk janë vetëm të sotme, kanë nisur shumë kohë më parë. “Që prej emërimit tim në postin e drejtorit të spitalit të Delvinës. Presioni i parë dhe goditja e parë nga ky person ka qenë me djalin tim, pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye 1 muaj më parë. Goditjen e dytë e mora unë mbrëmjen e djeshme dhe jam katandisur në këtë gjendje siç edhe më shihni. Dhunuesi im thotë se pse unë nuk furnizohem për mjetet e spitalit me karburant tek pika e furnizimit të tyre. Por kjo është e gënjeshtërt, pasi ky person asnjëherë nuk ka ardhur në spital dhe të ketë debatuar me mua për këtë problem. Asgjë nuk më ka mbetur, vetëm vetëgjyqësia”.