Dasma elbasanase triumfon në Turqi
ELBASAN - Ansambli popullor “Elba Folk” me president etnologun e njohur Thanas Meksi është shpallur grupi më i mirë artistik në Festivalin e madh anatolian të Traditës në Turqi, duke triumfuar mbi 81 shtete pjesëmarrëse. Festivali u zhvillua në Ankara të Turqisë në dy net, ku paraqitën shfaqjet e tyre në një arenë artistike rreth 3000 artistë. Grupi i Elbasanit u përfaqësua në festival me shtatë kostumet karakteristike të zonës së Elbasanit, me vallet e Shqipërisë së Mesme dhe vallen e dasmës elbasanase, shoqëruar nga orkestra e ansamblit dhe Salloni Turistik Kulturor i Qarkut. “Performanca la përshtypje shumë të mirë, ndaj dhe u vendos në krye të grupeve nga bota”, u shpreh pas kthimit me trofe etnologu Thanas Meksi. Vallet e ekzekutuara nga valltarët e “Elba Folk”, Gëzim Alimehmeti, Genci Kastrati, Genti Terolli, etj., drejtuar nga koreografi Xhimi Vila, nën drejtimin artistik të vetë Meksit, treguan virtuozitetin, bukurinë dhe entuziazmin shqiptar. “Veçanërisht dasma elbasanase me motivet e saj karakteristike: duvakun e nuses, djegia e shamisë së beqarit, kërcimi i çiftit dhe momenti i përcjelljes së krushqve, krijuan interes dhe entuziazëm të paparë tek mijëra artdashës”, tha etnologu Meksi. Ansambli popullor “Elba-Folk” me një krijimtari 12-vjeçare ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në Shqipëri dhe Evropë. Ai është cilësuar “Laborator i Kulturës Folklorike” dhe është promovuesi i folkut elbasanas në Evropë. a.k