I preu damarët i shoqi, gruaja shtatzënë: S’do ia fal asnjëherë
FIER – “Nuk do ta fal burrin për këtë që më bëri. Edhe nëse e fal unë, nuk do ta falin njerëzit e mi”. Kështu ka deklaruar një ditë pas masakrimit, gruaja nga Fieri, e cila u godit me thikë nga i shoqi. Nëna e 2 fëmijëve, e cila ka dhe një fëmijë 3 muajsh në bark, Suzana Zotaj thotë se ajo që ndodhi ishte tepër e rëndë dhe pse gjithë jetën kishin pasur vështirësi financiare. Mjekët kanë deklaruar se gruaja nuk ka rrezik për jetën, por do të vazhdojë të qëndrojë në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve. Suzana tregon se shumë herë i është dashur të kërkojë ndihmë tek të afërmit, por gjithmonë pas ndërhyrjeve të familjarëve ka vazhduar bashkëjetesën. Ndërkohë, burime nga komisariati i Fierit thonë se i shoqi, Elmaz Zotaj, ka shfaqur shenja pendese, duke mos pranuar as ushqimin. Një tjetër rast dhune u shfaq dhe në Kolonjë. Albert Halili, 52 vjeç u arrestua, pasi kishte shqetësuar sërish ish-gruan dhe djalin, ndonëse gjykata i kishte mohuar të drejtën për t’iu afruar atyre. Halili ishte akuzuar për dhunën sistematike ndaj të shoqes, për të cilën gjykata mori vendimin për të qëndruar larg. Por ai ishte rikthyer sërish në shtëpi të premten, duke kërcënuar ish-gruan që të linte shtëpinë, çka bëri që t’i viheshin prangat. m.r/j.gj