Skandal në Serbi, dhunë me pacientë në qendrën ortodokse
Një video e publikuar në një agjenci online serbe “VREME”, ku tregohen njerëz në një qendër rehabilitimi ortodokse, që rrihen në mënyrë barbare nga punonjësit ka shokuar të gjithë opinionin serb. Policia serbe po heton mbi incidentin, ku pikërisht në një qendër fetare, tek përdoruesit e drogës përdoret tortura si pjesë e procesit mjekësor. Grupet e të drejtave të njeriut kanë reaguar menjëherë pas publikimit të videos, duke vlerësuar se metodat torturuese nuk mund të përdoren në asnjë mënyrë si pjesë e çfarëdo kure. Ngjarja ka ndodhur në qendrën shpirtërore-rehabilituese në Cërna Reka (Lumi i Zi), pranë Novi Sadit. Në video shihen dy infermierë meshkuj, që mbajnë pacientin dhe një i tretë që e rreh me shkelma, grushte madje edhe me lopatë. Ministria serbe e shëndetit ka nisur inspektorët e saj për mbikëqyrjen e qendrës ortodokse, e cila nuk ka marrë kurrë një licencë për trajtime mjekësore. Prifti Branislav Peranoviç, që ka qëndruar në këtë qendër që në vitin 2003, tha se në të janë kuruar me këtë metodë rreth 1 000 persona. Ai deklaroi për agjencinë B92, se forca ndonjëherë përdoret aty, për të ndëshkuar pacientët që thyejnë rregullat e rehabilitimit. Kisha Ortodokse serbe komentoi dje se qendra e rehabilitimit, pas publikimit të videos, duhet të mbyllet. Dhuna ka ndodhur në një dhomë të mbushur me ikona fetare ortodokse.