Deti i mbushur me bunkerë, ushtria aksion për t’i hequr
FIER/ MAJLINDA RAMA
Bunkerët do të zhduken përgjithmonë nga plazhet e Semanit, Darëzezës dhe Pishporos. Pas ankesave nga drejtuesit e komunave në prag të sezonit turistik, Ministria e Mbrojtjes do të bëjë të mundur më në fund çlirimin e plazhit nga 80 bunkerë. Pjesa më e madhe e tyre ndodhet në ujë, duke u shndërruar në makthin e pushuesve. Kjo, pasi disa herë janë bërë burim tragjedish, kryesisht për fëmijët. Specialistë në prefekturë, të cilët kanë bërë kërkesën për në Ministrinë e Mbrojtjes, bunkerët janë ngritur në vitet e monizmit përgjatë brezi të rërës, por më vonë, rreth 50 prej tyre u mbuluan nga uji. “Vija bregdetare nga grykëderdhja e lumit Vjosë dhe deri në grykëderdhjen e lumit Seman do të pastrohet totalisht nga bunkerët. Ka qenë një kërkesë e kryekomunarëve të Dërmenasit, Topojës dhe Levanit ajo që na ka vënën në lëvizje dhe më pas kemi gjetur edhe mbështetjen te Ministria e Mbrojtjes. Forca të kësaj ministrie, së bashku me pajisje e makineri të zbarkojnë në bregdetin e Semanit e më pas në Darëzezë dhe Pishporo për të larguar fillimisht bunkerët që janë në sipërfaqen ranore të vijës bregdetare e më pas do të hyjnë në det”, pohoi drejtori i emergjencave civile në prefekturë, Viron Ballla. Edhe prefekti Shahin Bejdaj pohon se problemit i është gjetur zgjidhja, pasi tashmë ka nisur puna për identifikimin dhe gjetjen e të gjithë bunkerëve, si dhe përpilimin e proces-verbaleve përkatëse. “Dita e hënë do të shënojë dhe nisjen e punës për largimin e bunkerëve të parë në Seman. Kemi marrë të gjitha masat për çmontimin e bunkerëve. Përveç specialistëve që ka vendosur në dispozicion Ministria e Mbrojtjes, edhe ne si prefekturë kemi siguruar burimet tona me qëllim që ta përfundojmë këtë aksion brenda një jave”, pohoi Bejdaj. Bunkerët në këtë vijë bregdetare kanë qenë të vendosur në afërsi të detit, por me afrimin e detit, një pjesë e mirë ardhjen e detit në brendësi një pjesë e mirë e tyre tashmë ndodhen nën ujërat e detit dhe paraqesin rrezik për pushuesit. Disa herë pushuesit janë ankuar pranë njësive vendore, por këto të fundit kanë qenë të pafuqishme përballë këtij problemi duke ia deleguar atë institucionit të prefekturës. Ndërkohëk, burime të brendshme të prefekturës bëjnë me dije se ky aksion i rëndësishëm ka edhe një kosto tepër të lartë dhe rrezikshmëri, por gjithsesi është një sfidë me të cilën duhet të përballen një ditë, pasi prania e tyre në zonën e rërës dhe në brendësi të ujit është një pengesë për pushuesit. Vite më parë pushues të ndryshëm kanë gjetur vdekjen. Ndeshja e tyre në rryma nënujore pranë bunkerëve u ka rrezikuar jetën. Këto rryma të fuqishme sipas specialistëve i tërheq në brendësi të tyre pushuesit, kryesisht fëmijët që nuk e njohin rrezikun duke u shkaktuar edhe vdekjen. Vetëm para tre vjetësh në këtë zonë u mbyt një 5-vjeçar, pranë një bunkeri. Me largimin e bunkerëve nga vija bregdetare, pushuesit do t’i kthehen plazhit, duke i rikthyer gjallërinë kësaj zone që prej vitesh duket se i është zbehur.