Athinë, shqiptarët në pranga për rrëmbimin e dy emigrantëve
ATHINE - Dy shqiptarë u arrestuan nga policia greke ditën e djeshme me akuzën për rrëmbim personi. Sipas burimeve zyrtare të policisë greke të cituara nga mediat vendase, dy shqiptarët ranë në pranga bashkë me një shtetas grek 33-vjeçar, i cili besohet se ka marrë pjesë në pengmarrje. Policia konfirmoi se të arrestuarit akuzohen se kanë kryer rrëmbimin e dy emigrantëve shqiptarë 41 dhe 70 vjeç, të cilët janë mbajtur peng derisa kanë paguar shumën financiare të kërkuar nga rrëmbyesit. Policia greke pas hetimeve të para për ngjarjen, mësoi se pasi i kanë rrëmbyer dy shqiptarët, pengmarrësit kanë kërkuar një shumë 14.500 euro për lirimin e tyre. Burimet nga policia greke thanë se gjatë hetimit është mësuar se rrëmbyesit e dy shqiptarëve, kishin lënë një takim me të dëmtuarit. Pengmarrësit kanë hyrë në kontakt me të dëmtuarit nga ngjarja dhe kanë kërkuar takim me pretendimin se donin të bënin tregti mjalti me dy shqiptarët e mbajtur peng. Pasi janë takuar me viktimat, tre të arrestuarit i kanë mbajtur të izoluar dy shqiptarët duke u kërkuar shumën e parave. Të afërmit e pengjeve janë detyruar të paguajnë 14.500 euro, ndërsa më pas pengjet janë liruar. Ata kanë denoncuar menjëherë ngjarjen në policinë greke, e cila u vu në lëvizje, duke arrestuar tre rrëmbyesit.