E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sms-ja e presidentit: Lini ndeshjen ose do ju përjashtoj

 

Leonard Karaj

Nuk flitet më për kompromise por për trukim rezultatesh. Në Kavajë ku luhej Besa-Apolonia dhe në Elbasan ku u zhvillua Shkumbini-Bylis rezultatet e ndeshjeve ishin të paracaktuara që para fërshëllimës së parë të arbitrave. Në këtë mënyrë peqinasit dhe kavajasit u kanë dhuruar tri pikë respektivisht ballshiotëve dhe fierakëve duke u dhënë një shtysë të fuqishme për mbijetesën në Superligë. Nga rezultati i këtyre dy takimeve varej shumë qëndrimi ose jo në Superligë edhe i tre skuadrave të tjera, Elbasanit, Partizanit dhe Lushnjës. 90 minuta para përfundimit të sezonit 2008-2009 duket se Elbasani dhe Lushnja janë ekipet më të rrezikuara për të rënë nga kategoria.
Sms-ja
Sipas të dhënave jo zyrtare nga pankina peqinase përpara fillimit të ndeshjes është mësuar se i gjithë stafi i Shkumbinit pak momente përpara se të startonte takimi me Bylisin kanë marrë nga një sms nga ana e presidentit Xhavit Ismaili. Ky i fundit i ka urdhëruar stafin që të mos impenjohen bashkë me lojtarët në ndeshjen kundra Bylisit. Nëse një e gjë e tillë nuk do të zbatohej atëherë Xhavit Ismaili shkruante se do të përjashtonte nga ekipi të gjithë ato që nuk do zbatonin këtë urdhër të dhënë me sms pak momente përpara takimit. Menjëherë sapo ka marrë këtë urdhër trajneri i skuadrës peqinase Gugash Magani ka dhënë dorëheqjen.
Apolonia
E njëjta situatë pak a shumë edhe në Kavajë ku skuadra mike arrinte të zgjidhte gjithçka që në minutat e para të takimit me anë të kapitenit Shoshi. Në fakt më shumë se meritë e fierakëve ishte një mosimpenjim total i vendasve, të cilët ashtu sikundër javën e kaluar edhe ndaj Apolonisë neglizhuan haptazi, duke falur tri pikë, të cilat rezultojnë pikë shprese për fierakët, por nga ana tjetër dënojnë lushnjarët. Skuadra e Ilir Gjylës bëri në fakt surprizën e kësaj jave, teksa barazoi në fushën e vështirë të “Loro Boriçit” ndaj Vllaznisë. Barazimi la sërish në vendin e dytë shkodranët, duke i falur kryesimin Tiranës, e cila me një pikë më shumë shkon edhe më e qetë në supersfidën e javës së fundit ndaj Vllaznisë në “Qemal Stafa”.
Partizani
Veç Shkodrës, futboll serioz u luajt edhe në Tiranë në përballjen Partizani-Elbasani. Të kuqtë e drejtuar nga Shpëtim Duro arritën të fitonin duke bërë një hap të madh drejt mbijetesës. Partizani ndodhet tashmë në vendin e tetë në renditje dhe do ti mjaftonte edhe një barazim në ndeshjen e fundit në Lushnjë për të qëndruar në Superligë edhe sezonin tjetër. Ndërsa Elbasani përveçse duhet të fitojë ndaj Teutës në javën e fundit duhet të shpresojë që Dinamo do të ndalë Bylisin dhe Partizani, Lushnjën në fushët e këtyre të fundit. Një fitore prestigji po pa asnjë lloj vlere arriti edhe Flamurtari në Durrës përballë Teutës, dy skuadra këto pa asnjë objektiv konkret edhe për javën e fundit të këtij sezoni në Superligë.

Gerti Haxhiu:Nuk ishte një ndeshje e trukuar
“Ishte një fitore që na bën të ndihemi mirë dhe na jep mundësinë për të qëndruar na kategorinë superiore edhe sezonin e ardhshëm. Mendoj se ishim më të mobilizuar për të fituar në këtë takim. Nuk mendoj se duhet të gjykojmë për trukim të ndeshjes. Shkumbini nuk synonte gjë tjetër në këto dy takime të mbetura ndërsa ne synonim qëndrimin në superiore. Shkumbini kishte aktivizuar lojtarë të rinj çka na e bëri edhe më të lehtë fitoren”, pohoi trajneri i Bylisit, i cili nuk dëshiroi të komentonte dorëheqjen e Maganit para fillimit të ndeshjes.

Haxhiosmanoviç:Gabuam por do fitojmë me Tiranën
“Ka qenë një gabim i rëndë për ne. Nuk duhej të gabonim kurrsesi në këtë ndeshje por ja që ndodhi. Shënuam shumë shpejt dhe menduam se me atë gol u zgjidh ndeshja. Gabuam shumë dhe e pësuam ndërsa në pjesën e dytë krijuam shumë raste, por nuk arritëm të shënojmë. Patëm mungesë konkludimi ndërkohë që edhe mbrojtja tregoi se është e thyeshme. Ky barazim na e ka vështirësuar shumë punën sepse tashmë na duhet vetëm fitorja në Tiranë. Sigurisht që nuk shkojmë si favoritë por do ta provojmë të fitojmë”.
 
Ilir Gjyla “Faji i FSHF nëse bie Lushnja”
“Ka qenë një pikë e rëndësishme për ne sepse na mban me shpresa. Por ajo që vazhdoj të theksoj unë është se faji që sot ekip si Lushnja, Elbasani e Partizani rrezikojnë rënien është i federatës. Ka dy javë që nuk luhen ndeshje drejt. Mbase edhe Vllaznia edhe Lushnja duhej t’i kishin nisur prej kohësh këto punë por nuk e kanë bërë këtë gjë dhe ja ku janë sot. Ndaj Vllaznisë luajtëm mirë, morëm një pikë dhe njëkohësisht falenderojmnë edhe tifozerinë shkodrane që ishte mjaft korrekte”.
 
Shpëtim Duro “Merituam fitoren dhe mbijetesën”
“Merituam denjësisht këtë fitore. Kjo edhe për faktin se kjo skuadër jo vetëm që ka zhvilluar një sezon pa asnjë përfitim financiar por edhe duke pasur kundër në shumë raste gjyqtarët. Mendoj se tani jemi më të qetë për ndeshjen e fundit në Lushnjë ku natyrisht do të shkojmë për të fituar. E kam thënë edhe më parë se me një Marius Ngjela në këtë formë mund ta shpëtoja këtë Partizan dhe ia arrita qëllimit. Tani mjafton që të mos rrezikojmë asgjë në ndeshjen e fundit në “Roza Haxhiu” me Lushnjën”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›