E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushë-Krujë, i dënuari i vë zjarrin qelisë së izolimit

 

FUSHE-KRUJE - Një i dënuar me burgim të përjetshëm i vendosi flakën qelisë së izolimit, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij. Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje rreth orës 21:30 në burgun e Fushë-Krujës. Sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, mësohet se i dënuari përjetë Petrit Verri, nga Shkodra, ka ndezur gjithë rrobat e qelisë duke rrezikuar jetën e tij. Për të realizuar ngjarjen mësohet se i dënuari ka vënë në përdorim shkrepëset që mbante për duhanin. Zjarri ka rënë në një nga qelitë e izolimit në burgun e Fushë-Krujës, ku ndodhej i dënuari në momentin e ngjarjes. Burimet nga burgu, të cilat konfirmuan ngjarjen, thanë se i dënuari për vrasje ndodhej në qelinë e izolimit pas thyerjes së rregullores me veprimet e kryera në burg në formë proteste gjatë ditës së djeshme. Në orët e mbrëmjes, Petrit Verri ka përdorur shkrepëset që mbante për cigaret për t'i vendosur flakën rrobave të shtratit të qelisë dhe disa materialeve të tjera që ndodheshin brenda ambientit të izolimit. Zjarri është konstatuar nga personeli i brendshëm i burgut prej tymit dhe britmave të vetë të dënuarit. Policia e burgut ka ndërhyrë menjëherë duke zhvendosur në një qeli tjetër të dënuarin, për të cilin burimet zyrtare thanë se është marrë në kontrollin e stafit mjekësor. Djegia e qelisë mësohet se është kryer nga i dënuari, pasi ditët e fundit ai kishte kërkuar të transferohej në burgun e Peqinit për vazhdimin e dënimit. Refuzimi i kërkesës së tij për t'u transferuar në Peqin ka shkaktuar reagimin ekstrem nga personi i dënuar përjetë, i cili i ka vënë flakën qelisë. I njëjti person ka qenë protagonist edhe në disa incidente të ndodhura më parë në burg. Më 9 qershor 2007, Petrit Verri tentoi të priste damarët brenda qelive të burgut në shenjë proteste ndaj autoriteteve që nuk pranuan kërkesën e tij për t'i ndryshuar qelinë. Sipas burimeve nga burgjet, dy vite më parë personi që dogji dje qelinë ka tentuar të presë damarët dhe më pas ka gëlltitur disa brisqe rroje, në tentativë për të kryer vetëvrasje. Gjatë këtyre veprimeve të rrezikshme për jetën e tij, i dënuari është pikasur nga rojat e brendshme të burgut që kanë ndërhyrë duke normalizuar situatën dhe duke kërkuar ndihmën mjekësore për të dënuarin. Petrit Verri është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të "vrasjes me dashje ndaj dy personave" në qytetin e Korçës. Për këtë vrasje është dënuar edhe vëllai i Petrit Verrit, Nok Verri, me 25 vjet burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›