Vlorë, grabitet makina e kryeprokurorit
VLORE - Një 23-vjeçar grabit makinën e Prokurorisë së Vlorës brenda rrethimit të këtij institucioni. Ngjarja ndodhi gjatë natës së të enjtes, ndërsa autori, Sandro Kapllani nga fshati Risili u prangos mëngjesin e djeshëm. Burime të policisë bënë të ditur se menjëherë pas konstatimit të grabitjes së mjetit që përdorej edhe nga vetë kryeprokurori i Vlorës, Sokol Malaj, rojet kanë dhënë alarmin. Blutë janë vënë menjëherë në lëvizje duke rënë në gjurmët e grabitësit, i cili drejtonte mjetin tip "Benz", 2500 me tragë VL 2160 B. I riu kur ka konstatuar se po ndiqej nga policia është detyruar ta braktisë makinën në zonën e Bestrovës mes ullishtave. Autori u identifikua në sajë të gjurmëve të lëna në mjet, pasi kishte precedentë të mëparshëm. q.b