Grabitja e bankës, provë një paketë
HAS - Policia e Hasit dhe ajo e Kukësit ende nuk kanë mundur të identifikojnë dhe të kapin autorin e tentativës së vjedhjes së degës së "Raiffeisen Bank", në qytetin e Krumës tri ditë më parë. Burime të policisë dhe të grupit hetimor bëjnë të ditur se me gjithë kontrollet e zhvilluara dhe me punë investigative ende nuk është bërë e mundur që të identifikohet e të ndalohet autori. Sipas grupit hetimor që po plotëson dosjen për ta dërguar më pas në prokurori janë hedhur dy pista të mundshme për autorët, por ende askush nuk është vënë në pranga apo dhe shoqëruar. Kjo, edhe pse autori i plagosjes së rojës së bankës ka dalë në mes të drekës prej godinës, ku la të plagosur me armë zjarri rojën Fadil Lusha. Punonjësit e bankës kanë dëshmuar se grabitësi me maskë në fytyrë nuk ka mundur që të kërkojë paratë, pasi sapo është drejtuar te sporteli u ndalua nga roja, të cilin e qëlloi me pistoletë për të shpëtuar. Jo vetëm punonjësit e bankës, por asnjë nga qytetarët nuk ka mundur ta dallojë se kush ishte nën maskë. Në duart e ekspertëve ndodhet vetëm një paketë cigaresh, që mendohet se i përket autorit, e gjetur në rrugën që ai ndoqi pas ngjarjes. Ajo i është nënshtruar ekspertizës në laboratorin kriminalistik të Tiranës dhe pritet që gjurmët e lëna aty të krahasohen me ata të personave të dyshuar. Policia dyshon se më shumë se 1 person mund të kenë qenë pjesë e planit të grabitjes. j.h