Athinë, zhduket fëmija i çiftit shqiptar
Dramë familjare për një çift emigrantësh shqiptarë në Greqi. Fëmija i tyre vetëm një vjeçar është zhdukur në rrethana misterioze dy muaj më parë, dhe për rrëmbimin e tij ka dyshime të forta për një person me ngjyrë, klandestin nga Siria. Burime zyrtare nga Policia e Athinës, konfirmuan dje për mediat se Mateo Dullia, është emri i djalit që është lindur më 28 shtator 2007 nga një çift emigrantësh shqiptarë që jeton me dokumente të rregullta në Greqi. Mateo rezulton të jetë zhdukur më datë 7 shtator 2008, mbi dy muaj më parë, nga zona e Kukaki, në Athinë. Kërkimet e deridjeshme të familjes Dullia dhe të afërmve e miqve të tyre, policisë dhe Qendrës Kombëtare Greke për fëmijët e zhdukur dhe dhunuar, kanë rezultuar të pasuksesshme. Kur nuk kishte bërë ende vitin e ardhjes në jetë, Mateo u zhduk mistershëm duke lënë nën pezmatim të thellë familjen dhe miqtë e tyre. Pasditen e 7 shtatorit të këtij viti, fëmija njëmbëdhjetë muajsh Mateo Dullia gjendej pranë banesës në lokalitetin Kukaki. Rreth orës 18:30, në një çast që fëmija gjendej i vetëm, zhduket në mënyrë të mistershme. Kur prindërit konstatuan humbjen e fëmijës së tyre, lëshuan alarm dhe në vendngjarje u mblodhën fqinjët si dhe kalimtarët. Në çast atje ka mbërritur një grup hetimor i policisë së Athinës. Nga dëshmitë e mbledhura, policia arriti në përfundimin se një burrë me ngjyrë, kishte rrëmbyer fëmijën pranë shtëpisë së familjes Dullia, emigrantë të rregullt nga Shqipëria. Ditën që u zhduk, vogëlushi kishte të veshur, bluzë ngjyrë portokalli dhe jeshile si dhe pantallona po ashtu në ngjyrë portokalli, ndërsa mbante në këmbë, një palë këpucë ngjyrë bezhë. Personi që identifikohet nga policia si autor i rrëmbimit të fëmijës, është Hasan Kerim, 34 vjeç, nga Siria, emigrant klandestin prej kohësh në Greqi. Vendbanimi i tij i fundit që i njihet është në zonën e Glifadhës në Athinë. "Fëmija është rrëmbyer nga 34-vjeçari i identifikuar me emrin Hasan Kerim, 34 vjeç, shtetas sirian, emigrant i paligjshëm në Greqi", është deklarata zyrtare e lëshuar nga policia e Athinës. "Hasan Kerim është i paligjshëm në Greqi. Ai është i gjatë 167 centimetra dhe ka peshë 60 kilogramë", - shtoi policia e kryeqytetit grek e cila theksoi se po heton në mënyrë intensive për ngjarjen që ka sjellë trishtim të thellë në familjen Dullia. Ndërsa vogëlushi që tani duhet të jetë 13 muajsh, Mateo Dullia, jepen të dhëna së është 70 centimetra i gjatë dhe peshonte ditën e humbjes, dhjetë kilogramë, ai ka flokë në ngjyrë gështenjë të hapur kurse ngjyrën e syve e ka të gjelbër. Autoritet policore greke bën një kërkesë publike duke u bashkuar me thirrjen e familjarëve për të gjetur fëmijën e zhdukur. NOA
Fëmija i zhdukur
Mateo Dullia
Lindur:
28 shtator 2007
Zhdukur:
7 shtator 2008
Kombësia:
Shqiptare
Gjatësia:
70 cm
Pesha, (ditën e humbjes): 10 kg
Flokët:
Gështenjë të hapur
Sytë:
Të gjelbër
Ngjyra e bluzës:
Portokalli dhe jeshile
Pantallonat:
Ngjyrë portokalli
Këpucët: Ngjyrë bezhë
Kontakt
Numri "sos": 1056
Telefon: 0030 210 7609554