E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhen 1 miliard lekë nga debitorët e fajdeve

 

Fatos Mahmutaj

Dosjet e debitorëve të fajdeve janë një problem përmbarimor, që tashmë i përkasin të kaluarës. Kjo të paktën për kryeqytetin. Nga rreth 900 të tilla në fillim të dy viteve më parë, tashmë në duart e përmbaruesëve kanë mbetur më pak se 20. Këto mbajnë emra fiktivë ose të paidentifikueshëm dhe ka qenë e pamundur që të verifikohen, ndërsa momentalisht është e pamundur që të përfundohen. Shifrat i bëri publike kryepërmbaruesi i Tiranës, Arjan Bylykbashi, sipas të cilit, vartësit e tij, ekzekutuan që nga janari 2006 e deri tani rreth 97% të dosjeve të debitorëve të fajdeve, ose e thënë ndryshe kjo shumë llogaritet në rreth 1.1 miliardë lekë, të cilat së shpejti pritet t'iu shpërndahen kreditorëve. Duke folur për këtë, Bylykbashi pohoi se këto dosje prej vitit 1998 e deri sa u ekzekutuan kishin kaluar disa herë nëpër institucione të ndryshme, ku dhe ishin pushuar si të paekzekutueshme. Në listën e debitorëve ndodheshin edhe emra personazhesh VIP, të cilët mendohet se për shkak të pozitave kanë ndikuar më parë në pushimin e dosjeve si të paekzekutueshme.
Dosjet
Ndërkohë, shumat që këta debitorë i detyroheshin firmave piramidale fillonin nga 500 USD dhe shkonin deri në 100 mijë, të cilat janë tërhequr nga vitit 1994 deri në fund të vitit 1996, në formë kredish. Pas falimentimit të piramidave, në pranverë të vitit 1997 administratorët e fajdeve kërkuan kthimin e borxheve, por të gjithë këta persona refuzuan. Pas kësaj çështja për secilin prej tyre u dorëzua në gjykatë dhe pas shqyrtimit u vendos, që secili prej debitorëve duhet të kthente shumat e tërhequra. Më pas dosjet mbërritën në Përmbarim, por ndërhyrjet u bënë shkak që ato të mbeteshin pa u ekzekutuar, ndërsa në disa raste të tjera shkak i mosekzekutimit ishte fakti, që debitorët kishin marrë mirë masat për të mos i kthyer këto borxhe, pasi nuk iu gjet asnjë pronë apo numër llogarie në emrat e tyre që mund të bllokohej apo sekuestrohej. Të parat që mbërritën në Përmbarim, në fillim të vitit 2006 ishin 383 dosje të debitorëve ndaj VEFA-s që arrinin në shumën e 50 milionë USD-ve. Më pas mbërritën edhe dosje të debitorëve të tjerë të piramidave, të cilat pas shortit iu shpërndanë përmbaruesve.
Ekzekutimi
Në fazën e parë u arritën të ekzekutoheshin vetëm gjysmat e tyre pasi pjesa tjetër, ose nuk u arrit të gjendeshin debitorët ose rezultuan "të varfër", pasi nuk u gjet asnjë pronë e regjistruar në emrat e tyre apo llogari bankare. Sipas Bylykbashit, megjithëse u bënë disa njoftime nëpër banka për verifikimin e adresave dhe llogarive bankare të secilit prej borxhlinjve, përfundimi rezultoi negativ. Kjo, kryesisht për kreditorët VIP, për të cilët nuk u gjet madje asnjë pronë e regjistruar në emrin e tyre. Pas kësaj, Përmbarimit iu desh të niste një fazë të dytë të punës, duke bashkëpunuar me Policinë Rrugore për të bllokuar mjetet me të cilat lëviznin debitorët e fajdeve, që refuzonin të paguanin paratë e marra para vitit 1997.
Aksioni
Bylykbashi pohoi se në verë të vitit të kaluar, vartësve të tij iu lejua të dilnin nëpër rrugë bashkë me policët e qarkullimit për të bllokuar mjetet e debitorëve. Përmbaruesve dhe policëve të qarkullimit atëherë iu desh të bllokonin rreth 50 mjete të atyre personave, që i detyroheshin shtetit apo personave të tjerë, ndaj të cilëve kanë humbur procese gjyqësore dhe që nuk i shlyenin, ndërkohë që nuk u është gjetur asnjë pronë apo llogari bankare. Pas bllokimit të mjeteve në rrugë sipas kërkesës së Përmbarimit, mjaft prej qytetarëve debitorë e panë të arsyeshme që t'i paguanin detyrimet, ndër të cilët një pjesë e mirë ishin ata persona, që kishin tërhequr në formë kredie shuma të konsiderueshme nga firmat piramidale. Po kështu, sipas Bylykbashit nga personat që kthyen në mënyrë vullnetare shumat, pas presionit për bllokimin e makinave, ishin një pjesë e mirë e debitorëve të fajdeve, të cilët në këtë mënyrë i lehtësuan mjaft punët institucionit të tij, duke bërë që të mbeteshin shumë pak, vetëm 20 prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›