E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi, një muaj jashtë fushave

 

Jetmir Halilaj

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Hamdi Salihi, pritet të mungojë deri në fund të fazës së parë të sezonit, e cila mbyllet pas tri javësh. Mjekët e skuadrës së Riedit i kanë sugjeruar bomberit ta trajtojë me urgjencë dëmtimin në kavilje. Sipas medias austriake, futbollisti shqiptar po vuan një gabim të mjekëve, të cilët e lejuan atë që të aktivizohej dy javë më parë, ndërkohë që ende nuk ishte rikuperuar si duhej. Salihi së fundi është paraqitur në javën e 15-të të Bundesligës së Austrisë, në ndeshjen kundër Austria Karntenit. Ai ka kohë që vuan nga dhimbjet e këmbës. 24-vjeçari këtë sezon ka realizuar 4 gola në Bundesligën austriake. “Hamdi Salihi ka një dëmtim në nyjë të këmbës dhe ai do të mungojë deri në fund të kësaj faze. Për skuadrën e Riedit do të jetë një problem i madh”, komentonte e përditshmja austriake “Nahrihten” të dielën.
Lojtari
Salihi ka pohuar se gjendja e tij fizike nuk është aspak e mirë, madje ka thënë se do t’i duhet të qëndrojë jashtë fushave të lojës të paktën dy javë. Javën që shkoi, ai ka pësuar një tjetër dëmtim në kavilje dhe gjithçka është përkeqësuar. “Nuk është e vërtetë se do të mungoj deri në fund të sezonit, pasi gazetarët austriakë e kanë keqinterpretuar deklaratën e stafit mjekësor”, – ka thënë futbollisti për ‘Panorama’. – Megjithatë, do të më duhet të qëndroj jashtë të paktën edhe për dy javë, pasi e dëmtova sërish kaviljen, për pasojë vazhdoj të kem probleme. Këtë herë do ta marr më seriozisht fazën rikuperuese dhe nuk do të luaj deri sa të mos kem më dhimbje. Ndoshta kam edhe faj vetë për situatën e krijuar, sepse nëse do isha treguar më i duruar e nuk do të kisha luajtur dy javë më parë, atëherë mund t’i kisha evituar këto probleme”. Për shkak të problemeve fizike, sulmuesi shkodran humbi edhe mundësinë për t’u grumbulluar me përfaqësuesen shqiptare, për miqësoren ndaj Azerbajxhanit. Salihi luan te luan që nga janari i vitit të shkuar, kur kaloi nga Tirana. Ai me Riedin, stinorin e kaluar ka shënuar 12 gola në 33 paraqitje. Salihi me skuadrën austriake ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Riedi i tij, pas 18 javëve të zhvilluara në Bundesligë të Austrisë, gjendet në vendin e gjashtë me 26 pikë të mbledhura. Këtë ligë e kryeson Shturm Graci me 38 pikë. Përveç Salihit, në Bundesligën e Austrisë aktivizohen edhe pesë futbollistë të tjerë shqiptarë: Ronald Gërçaliu (Salzburg), Emin Sulimani (A. Vjenë), Atdhe Nuhiu (A. Karnten) dhe Butrint Vishaj e Orhan Ademi (Altah).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›