Gjendet me fishek në gojë arma e trafikantëve
SARANDE - Arma automatike e tipit "Kallashnikov", e sekuestruar nga policia e Sarandës gjatë operacionit të koduar "Kundërpërgjigja e parë", ku u kapën 286.1 kg hashash dhe u vunë në pranga pesë shtetas, nuk ka qenë e zbrazur në momentin e kapjes. Burime konfidenciale pranë policisë, bëjnë të ditur se në armën, e cila është sekuestruar, veç 21 fishekëve që përmbante krehëri, 1 fishek ka qenë në grykën e armës, e cila ishte bërë gati për të qëlluar. Fisheku i kalibrit, 7.62 mm, është nxjerrë nga arma nga ekspertët e policisë pas sekuestrimit të saj. Policia ka zbardhur linjën e drogës, e cila nga Lazarati është transportuar nga persona të tjerë në Delvinë, ku më pas, të arrestuarit kanë vazhduar linjën drejt Greqisë. Trafikantët kishin zgjedhur për të kaluar rrugën e quajtur si "Rruga e Bufit", e cila është e paasfaltuar, e pandriçuar dhe ku kalojnë rrallë mjete, për shkak të infrastrukturës dhe gjatësisë. Në pjesën matanë kufirit, droga do të merrej nga trafikantët grekë. sh.d