Tensioni djeg magazinën me lëndë drusore
LUSHNJE - Luhatja e tensionit ka lënë pa asnjë shpresë familjen e Fatmir Alleshit nga fshati Gjuzaj i rrethit të Lushnjes. Ka qenë një shkëndijë elektrike ajo që për fatin e keq të Alleshit ka sjellë një dëm jo të vogël ekonomik. Janë më shumë se 20 milionë lekë materiale drusore edhe makineri ato që janë djegur brenda pak minutave në punishten, pronësi e shtetasit Alleshi. "Ka më shumë se 5 vite që merrem me grumbullimin e parave për të ngritur këtë punishte druri. E finalizova ëndrrën vetëm pak kohë më parë dhe investova gjithë lekët që kisha për të blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme. Punoja drurin për të bërë mobilje me porosi, pasi nuk kemi asnjë të ardhur tjetër. Por gjithçka u dogj brenda pak minutave pas një luhatje tensioni në mjediset e brendshme të punishtes dhe magazinës". Kështu është shprehur pas ngjarjes i zoti i punishtes së drurit, Alleshi, i cili në momentin e rënies së zjarrit nuk ndodhej në mjediset e magazinës. Por nga flakët e papritura janë trembur edhe banorë të zonës, të cilët kanë qenë të parët që kanë lajmëruar edhe zjarrfikësit. Nga ana e zjarrfikësve pohohet se luhatjet e tensionit provokuan zjarrëvënien. m.r