E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ati i Shenjtë do të vizitojë Shqipërinë

17/11/2009  Presidenti Topi merr pjesë në samitin për ushqimin, fton Papa Benediktin XVI

Me ftesë të Presidentit të Republikës, Bamir Topit, Papa Benedikti XVI pritet të vizitojë në një të ardhme të afërt vendin tonë. Kreu i shtetit shqiptar ka shfrytëzuar një takim që ka zhvilluar me Atin e Shenjtë për ta ftuar atë në emër të mbarë popullit shqiptar që të vizitojë vendin tonë, ftesë e cila u mirëprit me shumë kënaqësi nga Shenjtëria e Tij. Kjo vizitë mbetet për t’u realizuar në një kohë të përshtatshme. Presidenti i Republikës ndodhet në Itali për të marrë pjesë në samitin botëror të kryetarëve të shteteve e qeverive mbi ushqimin, të organizuar nga Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Takimi

Presidenti Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi, u takua dje paradite me Atin e Shenjtë, Papa Benediktin XVI, në kuadër të samitit botëror të Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë të OKB-së, i cili po zhvillon punimet mbi “Sigurinë e ushqimit” në Romë. Numri një i shtetit shqiptar gjatë takimit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë dhe e falënderoi Atin e Shenjtë për ndihmesën e çmuar dhe rolin që Vatikani dhe Kisha Katolike kanë luajtur për ringjalljen shpirtërore dhe fetare të besimtarëve shqiptarë dhe të parimeve e vlerave të shenjta. Presidenti Topi dhe Ati i Shenjtë vlerësuan harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, që e shquan vendin tonë për sa u përket marrëdhëniet mes tri besimeve të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis feve. Nga ana e tij Ati i Shenjtë vuri në pah lidhjet e vjetra historike e kulturore të Shqipërisë me familjen evropiane. Në mënyrë të veçantë ai shprehu mbështetjen e tij të plotë për përmbushjen e aspiratës së popullit shqiptar për t’u bërë pjesë edhe zyrtarisht, përveç se gjeografikisht, e Evropës së Bashkuar. Shenjtëria e Tij Papa Benedikti XVI hapi sesionin e parë plenar me fjalimin e tij, menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit dhe zëvendëskryetarëve si dhe aprovimit të deklaratës së samitit botëror për “Sigurinë e Ushqimit”. Gjatë ditës së djeshme Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet ngrohtësisht edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, me drejtorin e përgjithshëm të FAO-s, Zhak Diuf, me Presidenti slloven Tyrk, atë brazilian Lula etj.

Samiti

Presidenti i Republikës u nis në mëngjes në krye të një delegacioni zyrtar për të marrë pjesë në samitin botëror të kryetarëve të shteteve e qeverive mbi ushqimin, që do të zhvillohet në datat 16-18 nëntor 2009. Tema qendrore e punimeve të samitit është siguria ushqimore botërore me vëmendje të posaçme që në ditën e parë të samitit, të një angazhimi global mbi çrrënjosjen e shpejtë e të plotë të urisë në botë, për të cilën 60 krerët pjesëmarrës të shteteve e qeverive do të miratojnë një deklaratë të përbashkët. Gjatë samitit do të trajtohet edhe çështja e reformës qeverisëse botërore mbi sigurinë ushqimore e ndryshimet klimaterike si dhe sfidat me të cilat do të përballen bujqësia dhe siguria ushqimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›