E Diel, 1 Nëntor 2026

BE miraton unanimisht kërkesën e Shqipërisë, kryeministri Berisha përshëndet liderët evropianë

Është momenti i jetësimit të projektit të Shqipërisë evropiane

Vendimi i Bashkimit Evropian për t’i hapur rrugë procesit të integrimit të Shqipërisë në “familjen e madhe” perëndimore, duke miratuar pa hezitim kërkesën për statusin kandidat, tregon edhe njëherë se vendi është në udhën e duhur, në prag të një tjetër ngjarjeje historike. Shefi i ekzekutivit Sali Berisha, duke përshëndetur vullnetin e diplomacisë evropiane për nisjen e konsultimeve dhe njëherazi çeljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, u shpreh se ky është vendimi politik më i rëndësishëm i BE këto 18 vitet e fundit për vendin tonë. “Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, mbledhur në Bruksel, pasi shqyrtoi kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar të BE-së, paraqitur në Pragë, më datën 28 prill të vitit 2009, e miratoi atë dhe bazuar në nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian ia kaloi këtë kërkesë të miratuar Komisionit Europian për përgatitjen e pyetësorit për autoritetet shqiptare, pra nisjen e konsultimeve me autoritetet shqiptare, nisjen e procesit. Ky vendim unanim i ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së, është një vendim historik, sepse ky përbën vendimin politik më të rëndësishëm të BE-së në këto 18 vitet e fundit për Shqipërinë. Vendimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, pas anëtarësimit në NATO, është vendimi më i rëndësishëm që vendet e zhvilluara të Europës, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë marrë për Shqipërinë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se me aprovimin e kërkesës së statusit kandidat, BE jep një vlerësim maksimal për demokracinë shqiptare, përpjekjeve të mëdha të qeverisë shqiptare, institucioneve të vendit, por edhe të mbarë qytetarëve shqiptarë për suksesin e tyre, për ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në këtë vend, suksesin e reformave të gjithanshme të qeverisë, të cilat e kanë bërë dhe e bëjnë, siç faktohet, demokracinë shqiptare dhe ekonominë e tregut gjithnjë e më funksionale, më serioze dhe më të besueshme.
Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se një meritë të jashtëzakonshme në marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm, kanë reformat e qeverisë, ndërsa si zhvillimin më jetik në këtë proces konsideroi zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, të cilat, siç theksoi Berisha, përmbushën standardet. “Reformat e thella dhe të gjithanshme, lufta kundër krimit të organizuar me tolerancë zero dhe korrupsionit, zgjerimi dhe konsolidimi i lirive dhe të drejtave njerëzore të minoriteteve, zgjedhjet e lira e të ndershme të 28 qershorit, që përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR-it qëndrojnë në themele të këtij vendimi historik, por do të thosha edhe të këtij vendimi jetik për çdo familje, çdo qytetar shqiptar, për shoqërinë shqiptare në tërësi. Zgjedhjet e qershorit ishin prova jonë e madhe para shqiptarëve, aleatëve, partnerëve e miqve tanë në mbarë botën, prova për përkushtimin ndaj vlerës së votës së lirë që është themelore në një shoqëri të lirë”, nënvizoi kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›