Atje ku nuk kanë vënë dorë shqiptarë si këta
Energjia eolike (me mullinj ere), është mëse pozitive, por në asnjë vend të botës nuk do të shkatërronin një natyrë aq të bukur, siç është Karaburuni, Llogoraja, Tragjasi, për të vendosur mullinjtë e italianeve.
Do të ishte mirë që në një blog të publikoheshin fotot e kësaj zone që duan të shkatërrojnë në Vlorë, në mënyrë që ata që nuk kanë kaluar asnjëherë, të kenë nje ide përpara se sa të flasin për avantazhet e këtij projekti. Nuk them që jam kundër impianteve eolike, por kjo që kanë ndër mend të bëjnë, është vërtet përtej çdo limiti.
Lubonja ka të drejtë kur thotë që, “në katrahurën shqiptare të postkomunizmit, Perëndimi ka qenë një shpresë e madhe ndihme dhe emancipimi. Shqiptarët i janë lutur Perëndimit të ndërhynte deri edhe me ushtri për t'i shpëtuar nga politikanët e vet”.
Përpara një klase politike, jo vetëm të papërgjegjshme, por edhe të babëzitur, por edhe injorante e pa aftësi për të dëgjuar zërat kritikë brenda vendit, perëndimorët kanë qenë shpresa së do të ndikonin për të na treguar rrugën e mirë. Kjo edhe për sa u përket masakrave ekologjike, që kjo klasë politike po i shkakton vendit. Por, kur sheh se edhe perëndimorët, në bashkëpunim me këtë klasë politike, vijnë e na e përdorin vendin si koshin e plehrave të tyre, apo për të bërë atë që nuk e bëjnë në shtëpinë e tyre, atëherë ku mbetet shpresa?
Nëse shtron pyetjen se pse këta italianët nuk i ndërtojnë këto fabrika çimentoje në vendin e tyre po shpenzojnë kaq shumë për transportin nëpër Adriatik, e më the të thashë, përgjigja që të thonë është se ata vetëm për këtë punë mund të vijnë këtu, sepse është i lirë krahu i punës.
“Përse tjetër do të vinin në këtë plehrë vend? – të duket sikur duan të thonë me përçmim për vendin e tyre vetë politikanët tanë. Sepse ata, me formimin estetik të peizazheve industriale të socrealizmit që kanë, nuk janë në gjendje ta shohin se Shqipëria është e bukur, shumë e bukur; fatkeqësish vetëm atje ku nuk kanë vënë dorë e këmbë shqiptarët si ata”.