E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atletika mbremje emocionuese ne Birmingam

Një kampion i dyfishtë olimpik thuajse u përgjum në pistë dhe rrezikoi të humbiste garën. Ky ishte britaniku Mo Farah, që konkurroi në 2 milje në Mitingun e “Ligës së Diamantit” në Birmingam, ndërsa nuk ishte në formën optimale. Kjo sepse ai kishte mbetur pa gjumë ngaqë gruaja e tij kishte lindur dy vajza binjake ditën e premte. Megjithatë, atleti me origjinë nga Afrika shpërtheu në xhiron e fundit duke fituar me kohën 8’27”24, në mes gëzimit të publikut britanik. Farah fitoi 5000 metrat dhe 10 000 metrat në “Londër 2012”.
Nuk pati ndonjë rezultat shumë të madh në 200 metrat për meshkuj ku amerikani Tajson Gei u mund nga një tjetër xhamajka. Këtë herë fitues ishte Nikel Ashmid me kohën 20”12, ndërsa Gei doli i dyti dhe kjo duhet quajtur provë e mirë pasi kishte 2 vjet që nuk merrte pjesë në këtë disiplinë.
Gjithsesi, kohët e shkëlqyera ishin në garat e tjera. Amerikania Karmelita Xheter fitoi 100 metrat e femrave me 10”81, duke qenë ky një rekord i mitingut. Shelli-An Frejzër-Prajs doli e dyta me 10”90.
Një kohë edhe më e shkëlqyer në 110 metra me pengesa për meshkuj. Kampioni olimpik Ariel Merrit i SHBA-së fitoi me 12”95 duke qenë vetëm 8 të qindat larg rekordit botëror. Ky rezultat është njëkohësisht rekord i mitingut. Në vend të dytë, kampioni botëror Xhejzën Riçardson.
Në 400 metra për meshkuj i pari doli amerikani Anxhelo Tejlër me 44”39, duke qenë kjo koha më e mirë e sezonit. i dyti, Santos i Republikës Domenikane dhe i treti belgu Zhonatan Borle.
Rusja Marija Savinova fitoi sërish garën e 800 metrave për femra. Kampionia olimpike dha kohën 2’00”40.
Së fundi, në hedhje gjyleje për femra, triumfuese doli kampionia olimpike Valeri Adams e Zelandës së Re. Ajo arriti rezultatin 20.53 metra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›