Atletike kampionati dimeror
Me kampionatin Kombëtar individual dimëror, atletika shqiptare nisi aktivitetet për vitin 2012. Ajo që spikati në këtë aktivitet, ishte pjesëmarrja e sportistëve nga Kosova, të cilët kanë garuar si të barabartë përkrah atyre shqiptarë. Në kampionatin dimëror, i cili duhej zhvilluar në salla të mbyllura, por për shkak të mungesës së kushteve, ashtu siç ndodh prej vitesh u organizua në stadiumin “Qemal Stafa”, morrën pjesë 18 ekipe. Përveç Tiranës, që dominoi në shtatë disiplina, me dy bardheblutë Luiza Gega që u shpall sportistja më e mirë për femra dhe Nimet Gashi për meshkuj, sipas klasifikimit me pikë olimpike, nga 18 ekipet pjesëmarrëse përshtypje të mira lanë edhe atletët e Vllaznisë, Teutës, Skënderbeut dhe Mjeshtërisë Sportive Durrës. Nga atletët kosovarë, rezultatet më të mira janë vendosur në garat e gjata, me Astrit Kryeziun që triumfoi në 1500 metra dhe Meriton Hasanajn në garën e 3000 metrave, ndërsa mjaft mirë janë paraqitur edhe të tjerët. Federata e Atletikës e ka cilësuar të suksesshëm kampionatin dimëror, edhe pse programi nuk u realizua I plotë, ndërsa presidenti Gjergj Ruli i etiketoi sportistët heronj, që garuan në kushte të këqija atmosferike dhe temperature mjaft të ulëta. Aktiviteti u karakterizua edhe nga kontrollet anti-doping për sportistët, pas inaugurimit të qendrës së parë të Antidopingut dhe Mjekësisë Sportive në Shqipëri. Shefi i laboratorit antidoping, Mel Ostreni dhe bashkëpunëtorët e tij kanë thirrur atletët, analizat e të cilëve për substance të ndaluara janë bërë nëpërmjet urinës, ndërsa kontrollit iu nënshtruan atletët fitues. Kampionati ka shërbyer mbi të gjitha si një provë për atletët, pasi menjëherë pas garave janë përcaktuar edhe emrat e atletëve që do të marrin pjesë në kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura më 18 shkurt në Staboll të Turqisë. Shqipëria do të marrë pjesë me 18 sportistë në këtë aktivitet.