Zhoze Murinjo skandal me arbitrin pas ndeshjeve El Clasico

Edhe nëse në këtë sezon nuk do të ketë më përballje në Champions League, deri në fund të edicionit mbetet edhe një “El Clasico”. Sfida do të luhet në prill në Barcelonë dhe ndoshta do të jetë vendimtare në luftën për titull në La Liga-n spanjolle. Mbetet edhe shumë kohë përpara atij takimi, por duket se Zhoze Murinjo ka menduar ta “nxehë” sfidën menjëherë pas barazimit 2-2 në “Kamp Nou”, ku Barça shkurorëzoi Realin e Madridit, duke e eliminuar në çerekfinalet e Kupës së Mbretit. Skuadra “merengue” ndoshta do të kishte merituar më tepër se barazimi, por paraqitja e shkëlqyer e madrilenëve nuk mjaftoi që Murinjo ti bënte komplimenta rivalëve. Përkundrazi, tekniku luzitan ka gjetur fajtorin e eliminimit: gjyqtarin e ndeshjes, Fernando Teikseira Vitienes. Sipas asaj që shkruante gazeta “El Mundo Deportivo”, Murinjo e ka pritur gjyqtarin në garazhin e stadiumit “Kamp Nou” dhe e ka ofenduar. Trajneri i Realit qëndroi te makina e parkuar e “xhaketave të zeza” dhe më pas shfaqi të gjithë zemërimin. “Bravo artist, të pëlqen të tallesh me profesionistët”, ishin fjalët e tij. Ndërkohë, një tjetër çështje rreth atmosferës së trazuar që ekziston te Reali i Madridit lidhet me mbrojtësin Pepe. Portugezi nuk u ndëshkua pasi i shkeli dorën Lionel Mesit në takimin e parë të Kupës, ndërsa kreu i Disiplinorit në Spanjë, Florez tha: “Do ta kishim shqyrtuar episodin vetëm nëse Pepe do ti kishte këputur gishtin Mesit”. Murinjo e aktivizoi si titullar mbrojtësin dhe Pepe bëri të zakonshmen: ndërhyri egër ndaj Fabregas dhe Dani Alvesh, ndërsa tregoi një prej skenave të zakonshme, duke u rrotulluar në tokë, vetëm pak pasi Pike e preku. Një gjerman, i cili jeton në Spanjë ka bërë një denoncim penal kundër Pepes për krimin e “lëndimeve”, ndërsa dy eurodeputetë spanjoll kërkuan një interpelancë në Komisionin e Bashkimit Europian, duke ngritur pyetjen sesi “këto ngjarje të rënda, të para nga sytë e miliona personave dhe fëmijëve mund të mbeten të pandëshkuara”.