E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenderbeu-Flamurtari ne Pogradec

Temperaturat shumë të ulta dhe rreshjet e dëborës kanë bërë që Skënderbeu ta nisë vitin 2012 në futboll larg shtëpisë. Edhe pse luajnë si skuadër pritesë, në takimin e Kupës së Shqipërisë, të përcaktuar të zhvillohet të shtunën kundër Flamurtarit, korçarët janë detyruar që për shkak të kushteve atmosferike të mos luajnë në fushën e tyre.
Temperaturat në qytetin jug-lindor kanë arritur deri në -10 gradë celcius, por përveç të ftohtit të acartë, fusha është mbuluar nga dëbora dhe është e papraktikueshme. Edhe pse nisën punën për pastrimin e terrenit, më në fund drejtuesit e klubit u dorëzuan.
Edhe pse ekzistojnë shanse që dëbora të hiqet, në fushën e stadiumit “Skënderbeu” nuk mund të luhet normalisht futboll, pasi terreni ka ngrirë dhe koha në dispozicion nuk është e mjaftueshme.
Pasi shqyrtuan situatën dhe bisedave me Federatën Shqiptare të Futbollit, krerët e klubit korçar kanë pranuar që ndeshja të mos shtyhet, por të luhet në një fushë tjetër. Nëse do të zgjidhnin shtyrjen e sfidës me vlonjatët, kalendari i skuadrës së Levit do të ngjeshej edhe më shumë, sepse ata kanë për të rikuperuar edhe ndeshjen e kampionatit me Pogradecin.
Pas negociatave me FSHF-në dhe drejtuesit e Flamurtarit, palët kanë rënë dakord, që sipas propozimit të Skënderbeut, takimi i vlefshëm për Grupin B të luhet normalisht të shtunën, në orën 14.00 në stadiumin "Gjorgji Kycyku" të qytetit të Pogradecit.
Të shtunën luhet edhe ndeshja e Grupit A ndërmjet Kastriotit dhe Kamzës. Ndërkohë, të dielën luhen dy takime të tjera, Bylis-Tirana në Grupin A dhe Vllaznia-Laçi në Grupin B.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›