E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët vijojnë protestat, ACR me ofertë të re

BULQIZË- Sot kur minatorët e Bulqizës kanë vijuar protestat pranë ambjenteve të kompanisë ACR, protesta këto që zgjasin prej tre muajsh, vjen një ofertë e re nga kompania e kromit, e cila pranon që marrëveshja mes palëve të nënshkruhet edhe nga kreu sindikatës së minatorëve, Taf Koleci. Priten negociatat me minatorët. Nikollaj: Problem administrata, që ACR nuk e ndryshon.

NIKOLLAJ: ACR OFERTË TË RE PËR MINATORËT
Ora 12:00- Kompania konçesionare “ACR”, i ka bërë sot një ofertë të re minatorëve të Bulqizës ku pranohet që në nënshkrimin e marrëveshjes, të marrë pjesë edhe kreu sindikatës së minatorëve, Taf Koleci, duke lënë të pandryshuara pikat e tjera.

Kreu i Konfederatës Kol Nikollaj në një prononcim për NEWS24 përshëndeti vendiminm e pronares së ACR për këtë ofertë të re, ndërsa tha se pika ku nuk bashkohen minatorët me ACR është ajo e largimit të administratës së firmës ACR.

“Pronarja e ACR na propozoi se do të nënshkruajë kontratën e cila thotë se nuk pranon largimin e administratës nga ACR. Ajo pranon se do rrisë rogën me minatorët, pranon të investojë në minierë. Ne kemi për detyrë t’ua propozojnmë minatorëve këtë ofertë të re, janë ata që vendosin”, tha ai.

Sipas Nikollaj, administrata e ACR nuk mund të pranohet nga minatorët, pasi është akuzuar për korrupsion.

MINATORËT SËRISH NË PROTESTË: FORCAT POLITIKE TË NA TAKOJNË
Ora 10:00- Minatorët e Bulqizës kanë vijuar edhe sot protestën e tyre përpara zyrave të “ACR”, protestë e cila vazhdon tashmë prej 3 muajsh, në pritje të plotësimit të kërkesave të tyre për rritjen e rrogës 20-40 për qind, për kushte më të mira pune, për uljen e moshës së pensionit, si dhe për largimin nga detyra të administratorit të kompanisë “Albanian Crom”.

Paraditen e sotme 5 përfaqësues të tyre janë takuar me kryebashkiakun e Bulqizës, në lidhje me deklaratat që ky i fundit ka bërë më herët. Keta, është shprehur se kompania ACR ka plotësuar kërkesat kryesore ekonomike të minatorëve. “Dyshoj se refuzimi për arritjen e një marrëveshjeje dhe nënshkrimin e saj nga të dyja palët pa paragjykime, mund të ketë edhe prapavijë politike, që nuk i shërben zgjidhjes së problemit, përkundrazi e vështirëson edhe shumë më tepër atë”, ka deklaruar ai.

Minatorët nuk kanë nguruar t’i lëshojnë një apel edhe klasës politike. “Forcat politike të vijnë këtu të na takojnë”, shprehen ata.

Minatorët e Bulqizës i kanë kërkuar dje Parlamentit të ndërhyjë për të zgjidhur konfliktin mes tyre dhe kompanisë ACR. Vetë Kreu i Konfederatës së minatorëve Kol Nikollaj, apeloi për zgjidhje, në të kundërt minatorët janë të vendosur të përshkallëzojnë protestën e tyre.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›