Bashkia përuron shkollën e re 9-vjeçare në kryeqytet
Bashkia përuron përfundimin e ndërtimit të shkollës më të re në kryeqytet, që mori emrin e “At Zef Pllumit”. Bashkia e Tiranës bëri të mundur ndërtimin e kësaj shkolle në zonën pranë Kopshtit Botanik, e cila kushtoi 1 270 464 euro. Ndërtimi i saj u bë i mundur falë një kredie të Bankës e Këshillit të Europës (CEB). I pranishëm në përurimin e shkollës ka qenë edhe kryebashkiaku Edi Rama, i cili përshëndeti nxënësit e kësaj shkolle. Kjo shkollë është ndërtuar sipas parametrave bashkëkohorë dhe është një godinë 4-katëshe, në të cilën janë akomoduar rreth 650 nxënës, ndërsa kapaciteti i saj është për 900. Shkolla është e pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për një zhvillim normal të procesit mësimor. Ajo ka një sipërfaqe ndërtimi totale 4800 m2. Numri i klasave është 26, ndërkohë që janë ndërtuar 11 laboratorë dhe kabinete, që do të shfrytëzohen nga nxënësit e shkollës për të kultivuar dijet e tyre. Po ashtu, në shkollë gjendet edhe biblioteka (me sipërfaqe 192 m2), e cila do të shërbejë jo vetëm si një arkivë librash, por edhe si sallë leximi, me një literaturë të posaçme për sistemin 9-vjeçar. Bashkia e Tiranës do të dhurojë 500 libra jashtëshkollorë, me karakter edukativ, artistik, didaktik për të pasuruar këtë bibliotekë. Këto libra janë një mbështetje në funksion të zhvillimit të programit mësimor-edukativ në këtë shkollë. Shkolla ofron hapësirë të mjaftueshme edhe për shërbimet mjekësore si dentistë, psikologë etj. Në territorin e jashtëm të shkollës funksionojnë edhe terrenet sportive (350 m2), ku nxënësit do të mund të kryejnë orët e edukimit fizik.
15 Nentor 2008