E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita Botërore e Diabetit, pesëfishohet numri i të prekurve



Emanuela Sako

Numri i të prekurve nga diabeti është pesëfishuar në 3 dekadat e fundit. Specialistët raportojnë se numri vjen duke u rritur, madje me një përfshirje më të gjerë, ku bëjnë pjesë dhe fëmijët e vegjël. Në Ditën Botërore të Diabetit specialistët e Shëndetësisë organizuan një takim për të sensibilizuar qytetarët për shmangien e sëmundjes dhe shkaqet e përhapjes. Specialistët renditën si një ndër shkaktarët kryesorë mënyrën e jetesës dhe mungesën e jetës aktive. Aktualisht në vendin tonë rezultojnë se janë rreth 30 mijë persona që vuajnë nga sëmundja e diabetit, ku përfshihen të dyja tipat e kësaj sëmundjeje. Mjekët këshillojnë që personat mbi moshën 40 vjeç të kryejnë analizat e diabetit një herë në tre vjet, ose një herë në vit. Nëse sëmundja kurohet që në fazat e para, atëherë mundësitë janë më të shumta për ta parandaluar.
Fëmijët
Specialistët theksuan se vitet e fundit vërehet një shtim i sëmundjes së diabetit te moshat e reja. Shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT, Feçorr Agaçi, u shpreh se janë rreth 1 mijë fëmijë që kanë rezultuar diabetikë. Kjo shifër është cilësuar tepër e lartë për vendin tonë dhe se duhen marrë masa të menjëhershme parandaluese, qoftë nëpërmjet sensibilizimit nga ana e mjekëve, po ashtu dhe nga kujdesi i prindërve. Mjeku Agaçi sqaroi se në rritjen e diabetit te fëmijët ka ndikuar dhe obeziteti ose dhjamëzimi, ndërsa nga ana mjekësore është fenomeni i shfaqjes së diabetit tip 2 dhe te fëmijët. Kështu, mënyra e shfaqjes së diabetit është e njëjta si tek të rriturit. Specialistët kërkuan që parandalimi i sëmundjes të bëhet edhe nëpërmjet hartimit të politikave dhe strategjive nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtori i Shëndetit Publik në MSH, Gazmend Bejtja, deklaroi se janë një sërë programesh të shëndetit publik, të cilat mendohen të adresohen në parandalimin e shfaqjes së diabetit dhe më tej në parandalimin e komplikimeve të kësaj sëmundjeje.
Shkaqet
Shkaqet e sëmundjes kanë prejardhje të ndryshme dhe ndikohen direkt nga mënyra e jetesës. Stresi apo gjendja psiko-emocionale janë një nga shkaqet kryesore që çojnë në shtimin e rasteve nga viti në vit. Elementet që ndikojnë në përhapjen e tij janë diagnostikimi jo i mirë, urbanizimi i shpejtë i popullsisë, lëvizja nga zonat rurale drejt atyre urbane, stili jo i shëndetshëm i jetës. Por dhe zgjatja e jetëgjatësisë dhe shtimi i stresit janë disa elemente që ndikojnë në shtimin e rasteve me diabet. Diabeti shfaqet në dy forma, në formën e atyre që nuk kanë insulinë, pra nuk u prodhon pankreasi insulinë, tipi 1, dhe rritja e sheqerit i çon në komplikime. Dhe diabeti tip 2, i cili shfaqet kryesisht tek të rriturit në moshat mbi 40 vjeç, që janë mbi peshë. Një person me diabet rrezikon shumë gjëra, pasi kjo sëmundje zë vendin e parë për verbimet, për azoteminë, për gangrenën, për infarkte miokardi, për dëmtime në tru etj. Sipas Specialistëve, diabeti i tipit 2 është një sëmundje e fshehtë, që fillon në mënyrë të heshtur. Diabeti tip 1 mjekohet me insulinë dhe kap moshat mbi 40 vjeç, ndërsa tip 2 nuk është i fshehtë dhe fillon me shenjat klasike, pra personi urinon shumë, pi ujë shumë, bie në peshë dhe ka dobësi të madhe. Grupmoshat që preken më shumë nga diabeti janë ato 40-65 vjeç për tipin 2 dhe grupmoshat 10 -15 vjeç për tipin 1. Nëse sëmundja nuk diagnostikohet shkakton dëmtime të parikuperueshme të enëve të gjakut, sidomos të enëve të gjakut në sy, duke çuar deri në verbëri të personit të prekur. Të tjera pasoja lidhen me dëmtimet e enëve të gjakut në pjesët e këmbëve, duke shkaktuar gangrenë të gjymtyrëve, si dhe dëmtim të enëve të gjakut në zemër e deri në tru, që çojnë deri në infarkt të zemrës.

Konferenca e Pediatrisë per shmangien e sëmundjeve te foshnjat

Mjekët e Pediatrisë tashmë do të kenë metoda të unifikuara trajtimi për diagnoza të caktuara për pacientët e vegjël. Mjekët e Pediatrisë e kanë kërkuar me këmbëngulje një gjë të tillë, pasi përdorimi i medikamenteve të ndryshme shpesh shkakton dhe rezistencë të baktereve të ndryshme në trupin e fëmijës. Në Konferencën Vjetore e Pediatrisë, specialistët e Shëndetësisë, mjekë pediatër, sqaruan mënyrat e mbrojtjes së fëmijëve të vegjël nga sëmundjet. Njëkohësisht mjekët sqaruan të gjitha sëmundjet që prekin të vegjlit. Sëmundjet më problematike te fëmijët shqiptarë janë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes dhe ato gastroendoktrinale, por edhe obeziteti. Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Gjeorgjina Kuli, u shpreh se sëmundjet e fëmijëve në 10-vjeçarin e fundit kanë ardhur në ulje. Kjo pasi fëmijët janë të mirushqyer dhe nuk ka më raste të kequshqyerjes, siç ndodhte më parë. Sipas saj, problematike është shfaqja e obezitetit te fëmijët, ku ka rritje të rasteve edhe me diabet apo me sëmundje të tjera, që vijnë nga dhjamosja e tepërt. Njëkohësisht, specialistët sqaruan metodat e planifikimit familjar, pasi 90% e nënave nuk duan të lindin menjëherë fëmijë. Për këtë specialistët rekomanduan ushqyerjen e vazhdueshme të fëmijës me gji, prezervativët, spiralen, kokrrat apo metoda me injeksion etj.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›