E Shtunë, 31 Tetor 2026

Auditori nën llupë

Pas dy vjet zvarritjesh, edhe Auditorit të Përgjithshëm do t’i shkojë revizori te dera. Institucioni që deri më tani ka kontrolluar të gjitha pasqyrat financiare të institucioneve shtetërore qendrore, komunave dhe ndërmarrjeve publike të Kosovës, do të jetë subjekt i auditimit të jashtëm.

Kuvendi i Kosovës, këtë javë ka zgjedhur kompaninë amerikane, Grant Thornton për të kryer këtë auditim.

Sipas Ligjit 03/L075 për themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditorit të Kosovës, këto institucione auditohen nga auditorë të jashtëm të pavarur, të cilët janë të mirënjohur ndërkombëtarisht dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Megjithatë, ky ligj, i miratuar në vitin 2008, nuk është zbatuar për sa i përket përzgjedhjes së një kontrolluesi për Auditorin e Përgjithshëm.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi pati arsyetuar vonesën e përzgjedhjes së kompanisë audituese me procedurat e ngarkuara për përzgjedhje. “Kjo është procedura, ju e dini se vetëm gjatë këtyre dy viteve ekziston Zyra e Auditorit të Përgjithshëm që i përgjigjet Kuvendit dhe mendoj që është me kohë. Nuk jemi vonuar shumë në përzgjedhjen e tij”, pati thënë Krasniqi.

Konkursi për këtë detyrë ishte anuluar dy herë radhazi, pasi që Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike kishte konstatuar se asnjë kompani nuk i plotëson kushtet për të kryer këtë punë.

Përveç kushteve të përgjithshme, kompanitë që kanë konkurruar është dashur të kenë të depozituar kapital në vlerë 2 milionë euro.

Ndërkaq, kriter tjetër ka qenë që auditori të jetë profesional. Kjo ka nënkuptuar që firma vendore duhet të lidhet me firmë ndërkombëtare të auditimit për të siguruar cilësi në këtë detyrë.

Së fundi, në vendimin e 13 korrikut nga pesë firma konkurruese, vetëm tri i kanë plotësuar kushtet dhe prej tyre është zgjedhur kompania amerikane, Grant Thornton, me çmimin më të lirë.

Kjo kompani do të kryejë auditimin e Auditorit të Përgjithshëm për 7500 euro.

Zëdhënësi i Kuvendit të Kosovës, Sherif Konjufca, shpjegon se përzgjedhja është bërë nga një grup punues që ka qenë në kuadër të Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike.

“Kanë qenë pesë oferta gjithsej dhe tri janë zgjedhur më të mirat, prej të cilave njëra është shpallur fituese”, thekson Konjufca.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, çmimi më i lartë i ofruar për të kryer këtë punë ka qenë 11 mijë euro.

Ndërkaq, pasqyrat financiare vjetore të Auditorit të Përgjithshëm, për herë të fundit janë audituar në vitin 2007.

Auditori i Përgjithshëm nga mesi i vitit 2007 pati emëruar kompaninë e njëjtë, “Grant Thornton” për të kryer këtë auditim. Raporti i tyre ka përfunduar në mars të vitit 2008 dhe që nga ajo kohë nuk është bërë auditim.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, që në vitin e kaluar i ka propozuar Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit që të emërojë një auditor financiar për të dy vitet, 2008 dhe 2009, dhe tek tani në korrik është përzgjedhur kompania.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›