E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aulona International Folk Festival”

Autori i Lajmit: Redaksia

12 grupe folklorike nga 12 shtete të ndryshme evropian kanë interpretuar në edicionin e dytë të “Aulona International Folk Festival”. Në këtë event, që ka çelur edhe sezonin e ri turistik në qytetin bregdetar të Vlorës, për katër ditë me radhë grupe folklorike nga shtetet ballkanike, si Maqedonia, Greqia, Italia, Turqia, Kroacia, Shqipëria etj., kanë paraqitur traditën e tyre. Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “Bilbilat e Jugut” me mbështetjen e Bashkisë së Vlorës dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Aktiviteti me dimensione ndërkombëtare organizohet për herë të parë në qytetin e Vlorës dhe është shndërruar në një manifestim të folkut evropian. Udhëheqësi artistik i këtij festivali Vaso Tole, thekson për këtë aktivitet se ai do të jetë aktiviteti i parë folklorik në Shqipëri, profili i të cilit do ti shërbejë drejtpërdrejtë turizmit kulturor.
Duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF (Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike) organizatorët synojnë ta shndërrojnë këtë festival në një traditë me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional. Festivali që nisi më 8 maj u zhvillua në sallën e teatrit “Petro Marko”, dhe pati një natyrë konkurruese. Dje, në natën finale ky event u shfaq për publikun e gjerë, në sheshin përpara stadiumit të futbollit “Flamurtari”. Natën e parë të Festivalit e çeli grupi folklorik “Emin Duraku” i Kosovës, i cili u pasua nga Ansambli “Çamëria”, grupi “Bilbili” etj. Në Edicionin e Dytë të Festivalit Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival”, përfaqësohen 12 grupe folklorike. Ky aktivitet, që organizohet nga Qendra Kulturore “Bilbilat e Jugut”, konsiderohet jo vetëm një manifestim i vlerave të folklorit dhe pasurisë shpirtërore të vendeve pjesëmarrëse, por edhe një mundësi për promovimin e resurseve turistike të qytetit të Vlorës. President nderi i festivalit ishte poeti Xhevahir Spahiu.
“Aulona International Folk Festival”
Festivali ka karakter privat dhe organizator i vetëm është Qendra Kulturore “ Bilbilat e Jugut “ me qendër në Qytetin e Vlorës. Edhe ky Festival ,në përgjithësi, do të ruaj cilësitë e Festivalit të vitit 2009, sidomos lidhur me karakterin dhe qëllimin e aktivitetit. Ishin të pranishëm 12 Ansamble folklorike nga vende të ndryshme të Europës apo edhe përtej saj. Për çdo mbrëmje në këtë edicion të Festivalit Ndërkombëtar Folklorik, pati të ftuar specialë, Ansamble nga Vlora dhe qytete të tjera të vendit. Festivali udhëhiqet nga parimet e C.I.O.F.F-it, në axhendën e së cilës është edhe ky Festival. Festivali do të vazhdojë të jetë konkurrues ku çmimi më i madh do të jetë Kupa e Festivalit. Festivali zhvillohet në skenë të hapur ku, tre mbrëmjet e para do të jenë spektakle dhe konkurrim njëherësh ndërkohë që mbrëmja e fundit do të jetë Koncert i Madh me numra të zgjedhura. Ndryshe nga festivali i kaluar, ky festival do të shtrihet edhe në Bashkinë Orikum (në ditën e çeljes se sezonit turistik të Orikumit), Komunën Qendër (Fshati Narte) dhe Komunën Novoselë duke i dhënë kështu një dimension të ri performancës së këtij festivali. Ky festival, me hapësirën dhe gjeografinë në të cilën zhvillohet, mbetet unikal dhe i vetmi aktivitet kulturor e tradicional në shërbim të turizmit në Qytetin e Vlorës dhe rrethinat e saj. Festivali organizohet dhe drejtohet nga një staf i gjerë personash të fushës së kulturës dhe folklorit, brenda dhe jashtë qytetit të Vlorës, të cilët kontribuojnë në realizimin e komponentëve të tillë si drejtimi artistik i festivalit, regjia, skenografia, libreti, si dhe shoqërimi, akomodimi etj.

Ky lajm është publikuar: 12/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›