E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballsh, shkon në 200 numri i të helmuarve

Autori i Lajmit: Redaksia

Më shumë se 200 nxënës janë paraqitur në spitalin e Ballshit për të marrë mjekime pasi kanë shfaqur shenjat e helmimit. Gjatë paradites së djeshme gjendja në këtë rreth është rënduar dhe më shumë, pasi janë mbyllur dhe tri shkolla.
Ende nuk ka një numër të saktë të njerëzve që janë prekur nga helmimi misterioz, që dyshohet se ka ardhur nga uji, por ka dhe një pistë tjetër hetimi që e hedh dyshimin tek mielli i bukës. Gjatë dy ditëve më parë, numri i të shtruarve dhe i atyre që kanë marrë mjekime në urgjencë ka qenë rreth 170, por dje ai është rritur në 350. Drejtori i Ujësjellësit, Shyqo Metaj, ka bërë të ditur se, janë dërguar mostrat e ujit në ISHP në Tiranë për tu analizuar nëse ka bakterie apo helme në përbërjen e tij. Ndërkohë dyshime ka edhe tek mielli i bukës, pasi helmimi është shfaqur edhe tek banorët e fshatrave të cilët nuk furnizohen nga ujësjellësi i qytetit.
Spitali
Në spitalin e Ballshit situata gjatë ditës së djeshme ka qenë mjaft kaotike. Të shumtë në numër kanë qenë qytetarët që kanë shkuar për të marrë ndihmë mjekësore. Të ardhur në numër të madh në spital, mjekët kanë bërë thirrje, që qytetarët të shkojnë në spitalin e Fierit pasi nuk kishte më vende dhe kapacitete për të përballuar të sëmurët që paraqiteshin orë e çast në urgjencë. Por shumica e tyre, nuk kanë pranuar që të shkojnë në spitalin rajonal, duke kanë kërkuar vetëm mjekime me serume dhe duke shkuar më pas në banesat e tyre. Rastet e djeshme kanë qenë përgjithësisht të nxënësve të shkollave të cilët janë paraqitur me simptomat, bark e të vjella. Por shume raste janë dërguar në Fier pasi situata ka qenë e papërballueshme në spitalin e Ballshit. Gjatë një komunikimi me medien, drejtoresha e spitalit të Ballshit, Luljeta Bregasi ka deklaruar se, “rastet janë aq të shpeshta sa ndodh që dy nxënës marrin serumin në të njëjtin shtrat”. Nxënësit ndaj të cilëve janë paraqitur simptomat ishin të shkollave 9 vjeçare "Odiseja", "Besëlidhja" dhe "Ismail Klosi". Nga frika e helmimit dhe i përhapjes së ndonjë virusi të rrezikshëm mësimi në këto shkolla dhe në të gjitha shkollat e tjera të qytetit është ndërprerë ditën e djeshme. Për hapjen e tyre pritet që të jepet një urdhër i dytë.
Hetimet
Drejtoresha e spitalit rajonal të Ballshit, Luljeta Bregasi bëri të ditur se simptomat e helmimit janë në fazën e parë. "Pacientet nuk janë rëndë. Aktualisht marrin mjekim për intonsikim. Me pak fjalë marrin serumin dhe largohen në shtëpi". Sipas Bregasit, dyshohet se shkak të jetë uji i pijshëm, por siç thekson ajo "janë analizat zyrtare ato që vërtetojnë këtë". Ndërkohë dyshime ka edhe tek mielli i bukës, pasi helmimi është shfaqur edhe tek banorët e fshatrave, të cilët nuk furnizohen nga ujësjellësi i qytetit.

Ujësjellësi

“Analizat, pacientët nuk u sëmurën nga uji”

Drejtori i Ujësjellësit në Ballsh, Shyqo Meta, ka reaguar duke thënë se nuk e pranon që pacientët të jenë sëmurë nga uji i pijshëm. "Ne kemi tri ditë që kemi bërë analizat dhe uji ka rezultuar i klorifikuar në masën e duhur dhe pa mbetje bakteriale. Nuk di nga se u ka ardhur, por unë personalisht flas me bindje që uji në Poçem është i pastër. Megjithatë ne kemi kërkuar që të ribëhen analiza dhe jemi në pritje", u shpreh ai. Burimi natyror i Poçemit, nëpërmjet pompave furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të qytetit të Ballshit si dhe fshatrat Hekal, Aranitas, Ballsh, Lapulec, Drenovë.

Policia

“Kemi ngritur dy grupe hetimi për zbardhjen e shkaqeve”

Kanë nisur hetimet nga policia, për zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në spital deri më tani më shumë se 350 persona. Policia e Fierit ka bërë të ditur se, njoftimi për këtë ngjarjes është marrë rreth orës 20:00 të dy ditëve më parë, nga një telefonatë e Spitalit të Mallakastrës në sallën e policisë. Ata kanë njoftuar se në ambientet e këtij spitali brenda një kohe të shkurtër kanë mbërritur me shenja helmimi rreth 100 persona banorë të qytetit të Ballshit. Sapo është marrë njoftimi nga Drejtoria e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, janë formuar 2 grupe hetimore dhe nga veprimet e para rezulton se, të paraqiturit në spital kishin shenja helmimi. Në vijim të kësaj situate që po ndiqet nga një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mjekësisë Ligjore është bashkërenduar puna me shërbimet e spitalit Rajonal të Fierit për vënien në shërbim të plotë për pritjen dhe dhënien e ndihmës mjekësore të të sëmurëve. Sa më sipër nga strukturat e Drejtorisë Policisë Qarkut Fier vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarje, për të cilën janë ngritur dy grupe hetimore.

Ky lajm është publikuar: 12/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›